Lirohen aktivistët e arrestuar për sulmin me ngjyrë kundër Policisë

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar të premten pas aksionit gjatë të cilit hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë, janë liruar.

Lajme

19/08/2018 15:40

Arta Berisha, Elona Kurti, Patrik Domi, Rinë Zhitia, Çlirim Gërbeshi e Atdhe Arifi, ishin ndaluar nga Policia për 48 orë.

Ata janë liruar sot.

Në mesin e të arrestuarve të premten ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila ishte liruar ndërkohë.

Aksioni i së premtes ishte ndërmarrë në shenjë proteste kundër mugesës së ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për gratë dhe fëmijët e Kosovës.

Ai ndërlidhej me ngjarjen që ka ndodhur ditë më parë në Brekoc të Gjakovës, ku një grua u vra bashkë me vajzën 9-vjeçare nga ish-burri.

Në një konferencë për media, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje sot, aktivistja Rina Zhitija tha se para dy ditësh në drejtim të Policisë kanë hedhur ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun e grave që, sipas saj, Policia po e lejon.

Ajo akuzoi forcat e rendit se ushtruan dhunë ndaj aktivistëve.

“Policia e Kosovës është duke trajtuar dhunën ndaj gruas si diçka të mbyllur dhe private”, tha Rina Zhitia.

Rina Zhitia përmendi edhe rastin që u raportua të premten, ku një burrë me djemtë e tij kishin rrahur gruan/nënën dhe vajzat/motrat.

Zhitia tha se të dyshuarit u liruan dje, pa ndonjë proces gjyqësor. Me këtë, tha ajo, Policia po dëshmon se është përkrahëse e dhunës.