Lirim Jakupi nën akuzë të re të EULEX-it

Para disa ditësh u njoftua se në Gjykatën Themelore në Gjilan është ngritur një aktakuzë kundër një personi, i cili në vitin 2004 kishte kryer disa sulme kundër pjesëtarëve të policisë së Maqedonisë në Shkup dhe Tetovë. Tash merret vesh se bëhet fjalë për Lirim Jakupin, ish-luftëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së. 

Lajme

30/11/2014 12:02

Njëri nga avokatët gjilanas, i cili ka mbrojtur shumicën e pjesëtarëve të UÇPMB-së, Halit Azemi thotë se vërtet është tepruar me Lirim Jakupin. Ai përjetoi burgjet e UNMIK-ut, EULEX-it, Maqedonisë, KFOR-it, Serbisë dhe shumë procese tjera, ku për disa edhe është shpallur i pafajshëm. Mendoj se është tepruar me Lirim Jakupin, u shpreh Azemi për Rajonipress.

Për veprat e kryera në Maqedoni gjatë periudhës shtator-dhjetor 2014, Lirim Jakupi tani po akuzohet nga EULEX-i. Tashmë ndaj Jakupit është ngritur aktakuza për kryerje të vrasjes së rëndë në tentativë, shkaktim të lëndimit të rëndë trupor dhe sulm kundër personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas EULEX-it, rasti ka të bëjë me pretendimet që i pandehuri, në shtator dhe në dhjetor 2004, ka sulmuar dhe ka hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë në Shkup dhe në Tetovë, duke iu shkaktuar plagë të rënda.

Avkakati Azemi thotë se është e çuditshme se si është e mundur që EULEX-i ende u beson provave dhe fabrikimeve të Serbisë e Maqedonisë. “Shumë pjesëtarë të UÇPMB-së janë amnistuar, janë amnistuar edhe ushtarë të vendeve tjera. Kjo nuk po ndodh me Lirim Jakupin edhe pas kaq vitesh. Ai nga burgu e në burg po endet me këto aktakuza të rregullta të EULEX-it” thotë Azemi.

Lirim Jakupi ka pasur një dënim prej gjashtë vjetësh, që e ka përfunduar, kurse është dënuar në mungesë nga ana e Gjykatës Supreme të Serbisë,  e cila ia ka prerë dënimin prej 15 vjetësh.

Arrestimi i Lirim Jakupit nga policia e EULEX-it është bërë menjëherë sapo ka përfunduar vuajtjen e dënimit 6 vjeçar. Edhe pse i ka mbajtur gjashtë vjet burgim, Lirim Jakupi, i njohur si “Nacisti”, nuk është lejuar që të shijojë lirinë dhe është arrestuar në janar të vitit 2014. (rajonipress)