Lirika politike në muzikë

Muzika gjithmonë është përdorur si mjet për të shprehur identitetin kulturor, besimet dhe qëndrimet e një individi apo grupi të caktuar të njerëzve. Ndonëse si formë e artit me kalimin e viteve është ndryshuar, qëllimet e muzikë-bërësve nuk kanë ndryshuar shumë. Të martën e kaluar, në Sallonet e së martës, që organizohen nga D4D, u…

Opinion

24/04/2015 10:38

Muzika gjithmonë është përdorur si mjet për të shprehur identitetin kulturor, besimet dhe qëndrimet e një individi apo grupi të caktuar të njerëzve. Ndonëse si formë e artit me kalimin e viteve është ndryshuar, qëllimet e muzikë-bërësve nuk kanë ndryshuar shumë.

Të martën e kaluar, në Sallonet e së martës, që organizohen nga D4D, u diskutua për muzikën protestuese dhe rolin e këngëve me tekste politike në zhvillimin e shoqërisë.

Zhanri muzikor me të cilin artistët e revoltuar më së shumti kanë gjetur hapësirë të protestojnë kundër dukurive negative në rrethin e tyre, është pa dyshim Rock ‘n’ Roll-i. Përmes koncerteve të muzikës rock, publiku arriti për të parën herë të bëhej aktiv në një performancë, duke u ndjerë i lirë të këndojë refrenet e këngëve së bashku me këngëtarët në skenë. Në këtë mënyrë, me organizimin e festivaleve me pjesëmarrës të shumtë, ky zhanër muzikor u bë si një lëvizje shoqërore e rinisë së viteve 1970-1980 kryesisht në Amerikë.

Trendi i përdorimit të muzikës për të reaguar ndaj gjendjes politike dhe për të shprehur dëshirën për një jetë më të mirë u përhap edhe në Kosovë, në masën më të madhe gjatë viteve të ’80-ta. Tek ne, gjatë këtyre viteve media censuronte çdo material që simbolizonte ndonjë lloj revolte të shoqërisë ndaj politikave të kohës, prandaj e vetmja mënyrë e komunikimit me publikun ishte përmes koncerteve muzikore. Një prej grupeve më të spikatura të asaj kohe, këngët e  të cilit u bënë himn i rinisë kosovare, është grupi Minatori me këngët si: “Brezi im”, “Këngë mllefi”, “Mos harro Evropë”, “Nuk besoj në politikë”, e të tjera. Minatori arriti që ta pasqyrojë përditshmërinë kosovare, kryesisht të hidhur, ndër vite.

Në vitet ‘80-taporosi politike përçojnë bende si “Minatori” e“Gjurmët”,ndërsa në vitet e ‘90-ta kjo frymë përcillet me një zhanër muzikor të ri. Është fryma “heavy metal” me grupin Troja, të formuar nga disa djem aq të guximshëm për të kënduar këngë mllefi e patriotizmi në një atmosferë krize e lufte. Koha kur “Troja” fillon veprimtarinë muzikore është ndoshta koha më e rëndë për shoqërinë tonë, kohë kur mbyllen të gjitha institucionet dhe ndalohen të gjitha veprimtaritë patriotike shqiptare në Kosovë.Por, kjo muzikë revoltuese i mbijeton kësaj krize, ndërsa sot “Troja” është ndër grupet e pakta qëvazhdon të përçojë mesazhe politike tek dëgjuesit. Në ditët e sotme përpos rritjes së dëgjueshmërisë, diçka tjetër që ka ndërruar tek muzika e grupit “Troja” është qëllimi dhe tematika e muzikës që ky bend e kultivon. Përderisa para-luftës këndohej me patriotizëm dhe me dëshirë të madhe për liri e me mllef ndaj regjimit, në periudhën e pas-luftës e deri në ditët e sotme këndohet me thirrje për ndryshim, me mosdurim ndaj dukurive negative. Pra, sot nuk protestojnë kundër regjimit, por protestojnë kundër disa politikave të caktuara të shtetit të tyre, shtet të cilin dikur e kishin pasur ideal.

Duhet të ceket se në rrethanat kur në Kosovë filloi të kultivohej roku, edhe pse në botë njihet si muzikë protestuese, tek ne u lidh drejtpërdrejtë me muzikën patriotike. Kjo, për arsye se këndohej për bashkim të shqiptarëve kundër okupatorit, këndohej për një ideal të vetëm – lirinë. Sot, kur po e gëzojmë lirinë dhe demokracinë, këndohet me një qëllim tjetër, me qëllim të shprehjes së revoltës dhe thirrjes për ndryshimin e mënyrës se si funksionojmë si shoqëri.

Një tjetër zhanër muzikor shumë i përhapur veçanërisht gjatë viteve të fundit, e përmes së cilit po ashtu barten mesazhe politike dhe sociale, është muzika rep. Gjatë viteve të pas-luftës, repi u manifestua si thirrje për atdhe-dashuri dhe me një frymë optimiste. Ndër tekstet më të veçuara muzikore të këtij tipi, vlen të përmendet kënga “Albanian” kënduar nga Etnon, LyricalSon dhe DJ Blunt. Kjo këngë pati ndikim aq të madh tek dëgjuesit, sa që u shndërrua në himn të të rinjve shqiptarë. Kohë pas kohe vazhdojmë të kemi këngë me lirikë të ngjashme, megjithëse duket se interesimi i rinisë së sotme është përqendruar në lloje tjera të muzikës dhe lirika për gjeneratat e reja duket se po konsiderohet jo edhe aq e domosdoshme për të shprehur qëndrimet apo ndjenjat.A do të dëgjojmë më këngë me mesazhe të reja politike, apo thjeshtë ky trend po transformohet në një frymë a lëvizje krejtësisht të re? Një grup i muzikantëve të rinj që ishin të pranishëm në sallon, thanë se revolta nuk është zhdukur, protesta përmes muzikës vazhdon, vetëm se më nuk po shprehet përmes lirikës, por më shumë po simbolizohet me anë të melodisë dhe performancës muzikore.

Ajo që në vitet e ’80-ta e ’90-ta ishte frymëzim për të qëndruar me durimdhe mendohej me të vërtetë ashtu si këndohej, në ditët e sotme konsiderohet si diçka komerciale, si një gjë  që u shndërrua në shund.

Nëse ndalemi dhe e shikojmë mbijetesën e muzikës protestuese kosovare përmes kontekstit historik dhe socio-politik, e shohim se këngëtarët që e kanë kultivuar këtë lloj muzike kanë gjetur gjithmonë mënyrë për të plasuar këngët e këtij lloji, edhe pse nuk kanë pasur mundësi që të paraqiten në media me ato mesazhe politike.  Por, në ditët e sotme, kur e kemi lirinë e medias dhe jetojmë në demokraci, sa ka hapësirë për shprehjen e mllefit ose të pakënaqësive?

Ndër konkluzionet kryesore që u arritën deri në fund të sallonit, ishte që sot ka mungesë të muzikës protestuese tek ne. Një ndër faktorët dhe fajtorët kryesorë që e bënë këtë dukuri të mundshme është roli i medias. Media sotdo të duhej të krijonte më shumë hapësirë për muzikën që bartë porosi politike tek dëgjuesit, në këtë mënyrë ndoshta do të vërenim art më ekspresiv dhe më kritik ndaj situatave të ndryshme në të cilat po kalon shoqëria jonë.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D).  Salloni ka format gjysmë-formal sipas rregullës Chatham House dhe pa prani të mediave. Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura. Sonte (e martë) në ora 17:45, Salloni i radhës me temën: “Seria e Salloneve për Parti Politike: Vetëvendosje!”