Liria e shprehjes së reperëve, sipas Hoxhës Shefqet

Hoxhë Shefqet Krasniqi thotë se këngëtarët duhet të kenë liri të shprehjes. Ai mbron reperin Gold AG duke thënë se “nuk u ba nami” pse ai ka kënduar me ato fjalë në këngën e tij të fundit “Shqiptar”.

Lajme

28/02/2014 12:36

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i ka dalë në mbrojtje reperit kosovar, Arian Agushi (Gold AG) në ditën kur ai është thirrur të japë deklaratë në polici rreth tekstit të këngës së tij të fundit “Shqiptar”.

Shefqet Krasniqi, ka thënë në një intervistë për TV Vali të Gjilanit se Gold AG ka bërë art dhe në art, sipas tij, lejohen shprehje të cilat i ka përdorur ai.

“Kam dëgjuar për këtë rast, ma kanë bërë me dije se ka bërë këngë dhe më ka përmend edhe mua”.

“Ai ka shprehur dëshirë të vijë në xhami dhe të më takojë. Është prekë njeriu, siç preket çdo njeri që ka ndjenja”.

“Sa e kam kuptuar unë, asgjë nuk ka thënë që nuk është. Ato fjalë t’i thonë në Parlament, t’i thonë gazetarët, veçse i thonë në një formë tjetër, bile edhe më zi dhe asgjë nuk bëhet”.

“Fundja, liria e të shprehurit është prezente dhe e garantuar”.

“Çfarë urrejtje ka aty. Dikush bën të na fyejë neve myslimanëve, me na e ndalë ezanin, e tjetri bën me na fy neve në mënyrën më të ndytë, më të poshtër… të cilat nuk kanë asgjë të bëjnë me realitetin”.

“Ai është art. Ne art, në poezi e prozë lejohet, edhe nga ana fetare, çka nuk lejohet në fusha të tjera. Në profesionin tim, mua nuk më lejohet çka i lejohet atij apo çka i lejohet një poeti i cili e thur një vjershë të mirë, apo një dramë, apo një komedi.”

“Gjuha e tyre (reperëve) është e njëjtë, megjithatë, për hir të etikës që duhet ta ketë myslimani, ka qenë dashur të jetë më i butë e më i edukuar në gjuhë, anipse dikush e meriton. Por, neve nuk na ka hije”.

“Djali është prekë dhe ai në nivelin e fjalorit të rangut të tyre i ka thënë çka ka thënë. Tybe nuk është bërë nami që e ka përmend një deputet apo dy a tre. Ata deputetët për çdo ditë ia ngulin nga një therrë dikujt, e një therrë të kaçes dikujt tjetër, pastaj ia ngulin vetes një therrë tjetër, nami nuk bëhet. Gazetat shkruajnë çka të duash dhe kalon ajo mesele”.

Krasniqi e ka pranuar se kënga ka pasur jehonë më shumë se që edhe vetë Gold AG ka mundur ta paramendojë.

“Ai nuk e ka paramenduar këtë jehonë dhe është mirë që nuk e ka paramenduar. Nganjëherë punët dalin më mirë kur nuk i paramendon fare”, ka thënë Hoxhë Shefqet Krasniqi.

Shikojeni përgjigjen e Shefqet Krasniqit në videon e mëposhtme: