Linja më e gjatë hekurudhore në botë

Një tren i ngarkuar me 82 kontejnerë përplot mallra është nisur më 18 nëntor nga qyteti lindor kinez Yiwu dhe do të ndalet në kryeqytetin spanjoll, Madrid, në muajin dhjetor, pas 21 ditë udhëtimi.

Lajme

24/11/2014 14:57

Distanca prej 9977 kilometrash do të shënojë udhëtimin më të gjatë të ndonjë treni në historinë e njerëzimit, pasi do të jetë më i gjatë për 673 kilometra se sa linja Trans-Siberiane që lidhë Vladivostokun me Moskën.

Qyteti Yiwu është qendra më e madhe e shitjes së mallrave me shumicë për bizneset e vogla, që kishte për synim mbulimin e tregut në shtetet arabe, dhe tani edhe vendet evropiane.  

Qeveria kineze ka ndarë 40 miliardë dollarë amerikanë në përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore dhe trenave për transportimin e mallrave me synim për të vazhduar zellin e Kinës për të thelluar lidhjet ndërmjet ekonomisë së saj që po lulëzon me tregjet në Evropë.

Me këtë lëvizje Pekini zyrtar dëshiron të tregojë edhe “muskujt kinezë” në sektorin e transportit hekurudhor në lidhjet midis dy kontinenteve, që vazhdon të jetë e dominuar nga kompanitë evropiane.  

Rruga hekurudhore Yiwu-Madrid që kalon përmes rajonit Xinjiang dhe pastaj i bie përmes Kazakistanit, edhe shekuj më parë ka shërbyer si rrugë për qarkullimin e mallrave me karvane nga Azia në Evropë.