Linja hekurudhore 10, projekt që forcon rajonin dhe ofron me shtetet e BE-së

​Projekti për Rehabilitimin e Linjës 10 hekurudhore, që përshkon shtatë shtete përfshirë Kosovën, është projekt i parë nga Lista prioritare e projekteve infrastrukturore të Kosovë, i cili do të nis zbatimin.

Lajme

13/12/2015 13:18

Ky projekt që rrjedh nga agjenda e Berlinit, përkatësisht nga takimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor i udhëhequr prej Kancelares gjermane Angela Merkel që u mbajt vitin që shkoi në Berlin, do të kushtojë mbi 160 milionë euro vetëm për linjën që kalon nëpërmjet Kosovës.

Grantet e para për zbatim të këtij projekti gjigant Kosova tashmë i ka përfituar nga BE-ja. Ndërkaq punimet lidhur me këtë linjë që fillon nga Selaniku për të përfunduar në Sallzburg, pritet të nisin në vitin e ardhshëm.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, njëherësh bashkëkryesues i Këshillit Kombëtar për Investime, i cili në fillim të kësaj jave prezantoi zyrtarisht Listën e projekteve prioritare infrastrukturore të përbërë prej 39 projekteve, përfshirë edhe linjën hekurudhore 10.

Ai ka vlerësuar se ky investim është me rëndësi të madhe strategjike që do të ndikoj në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

“Pa dyshim se një projekt i tillë do të kontribuoj në zhvillimin ekonomik dhe social, hapjen e vendeve të punës dhe avancimin e bashkëpunimit ndër fqinjësorë. Një projekt i tillë do të forcoj rajonin dhe do ta afrojë atë edhe më tepër me shtetet eBashkimit Evropian”, ka potencuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Ai ka informuar se BE-ja ka marr vendim për alokimin e 40 milionë eurove grant për financim të projektit, me mundësi të financimit shtesë me 40 milion euro të tjera përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor. “Po ashtu, janë nënshkruar kreditë me Bankën Evropiane për Investime dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë të përbashkët prej rreth 80 milion euro”, ka plotësuar Çollaku.

Linja 10 është pjesë e rrjetit kyç hekurudhor të Ballkanit Perëndimor dhe Rrjetit Trans-Evropian të Transportit.

Çollaku më tej ka shpjeguar se kjo linjë është një nga linjat Pan-Evropiane, e cila fillon nga Sallzburgu, dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe përfundon në Selanik të Greqis. “148 km të linjës 10 në Kosovë janë të ndara në 3 faza: Maqedoni – Fushë Kosovë (64 km), Fushë Kosovë – Mitrovicë (34.4 km) dhe Mitrovicë – Serbi (42 km). Punimet pritet të fillojnë në vitin 2016 dhe të përfundojnë në vitin 2020”, tregoi ai./kp