“Linja 10”, ringjallë hekurudhat kosovare

Linja Pan-Evropiane “10” e cila fillon nga Salzburgu, dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Kosovë e Maqedoni, përfundon në Selanik të Greqisë.

Lajme

13/12/2015 16:49

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që e shfrytëzojnë më paku trenin si mjet transporti, kjo edhe për faktin se rrejti hekurudhor nuk e mbulon gjithë shtetin, por edhe për shkak të rrjetit jo të mirë. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka gjithsej 333 kilometra  binar hekurudhor për transport dhe 110 udhëtarë.

Në hekurudhat e Kosovës qarkullojnë 8 lokomotiva disell, ku bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.

Në tremujorin e dytë të vitit 2015 numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 71 mijë, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014 numri i udhëtarëve është ulur për 22 për qind. Edhe transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2015 është 204 mijë ton, ose 10 për qind më pas se në periudhën e njëjet të vitit 2014. siç ka raportuar edhe Albinfo.Ch, kosovarët tetë herë më shumë e shfrytëzojnë aeroplanin se sa trenin.

Por që rrejti hekurudhor të jetë më joshës, bashkimi Evropian ka parashikuar një ndihmë të konsiderueshme për ta rehabilituar “Linjës 10 hekurudhore”, që përshkon t’i lidhë shtatë shtete, përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Ky, është projekt i parë nga Lista prioritare e BE-së e projekteve infrastrukturore të Kosovë, i cili do të nisë zbatimin.

Ky projekt që rrjedh nga agjenda e Berlinit, përkatësisht nga takimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor i udhëhequr prej kancelares gjermane Angela Merkel që u mbajt vitin që shkoi në Berlin, do të kushtojë mbi 160 milionë euro vetëm për linjën që kalon nëpërmjet Kosovës, transmeton KSP.

Grantet e para për zbatim të këtij projekti gjigant Kosova tashmë i ka përfituar nga BE-ja. Ndërkaq punimet lidhur me këtë linjë që fillon nga Selaniku për të përfunduar në Salzburg, pritet të nisin në vitin që po vjen.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, njëherësh bashkëkryesues i Këshillit Kombëtar për Investime, i cili në fillim të kësaj jave prezantoi zyrtarisht Listën e projekteve prioritare infrastrukturore të përbërë prej 39 projekteve, përfshirë edhe linjën hekurudhore 10.

Ai ka vlerësuar se ky investim është me rëndësi të madhe strategjike që do të ndikoj në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

“Pa dyshim se një projekt i tillë do të kontribuoj në zhvillimin ekonomik dhe social, hapjen e vendeve të punës dhe avancimin e bashkëpunimit ndër fqinjësorë. Një projekt i tillë do të forcoj rajonin dhe do ta afrojë atë edhe më tepër me shtetet e Bashkimit Evropian”, ka potencuar ministri i Integrimit Evropian, sipas të cilit, BE tashmë ka marrë vendim për alokimin e 40 milionë eurove për hekurudhat kosovare me mundësi që edhe 40 tjera të tjera përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Linja 10 është pjesë e rrjetit kyç hekurudhor të Ballkanit Perëndimor dhe Rrjetit Trans-Evropian të Transportit.

Çollaku më tej ka shpjeguar se kjo linjë është një nga linjat Pan-Evropiane, e cila fillon nga Salzburgu, dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe përfundon në Selanik të Greqisë. “148 km të linjës 10 në Kosovë janë të ndara në 3 faza: Maqedoni – Fushë Kosovë (64 km), Fushë Kosovë – Mitrovicë (34.4 km) dhe Mitrovicë – Serbi (42 km). Punimet pritet të fillojnë në vitin 2016 dhe të përfundojnë në vitin 2020”, tregoi ai.