Limaj: Zero cent është abuzuar nga unë si ministër

Në fjalën e tij përfundimtare në rastin gjyqësor të njohur si MTPT, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj tha se kur ka nisur ky gjyq i ka thënë tri gjëra.

Lajme

22/11/2017 15:36

E para, sipas tij, se ky gjykim i përngjan “Procesit” të Franc Kafkës.

E dyta: Dyshimi është sikur mjegull që pengon me pa pamjen e vërtetë. “Besoj që këto dy vite e keni pasur rastin që të shihni se ajo mjegull e ngritur mbi 7 vite mbi personalitetin tim është larguar dhe ju tani para jush keni pamjen e vërtetë të këtij procesi”, tha i akuzuari Limaj.

E treta që kam thënë që nga dita e parë, shtoi ai, është se gjatë procesit gjyqësor prokuroria nuk ka me arritë me provu, qoftë edhe një cent që është keqpërdorur nga ana ime sa kam qenë Mnistër i Transportit.

“Ja ku jemi sot, pas 2764 ditëve që unë ballafaqohem me këto akuza. Që nga 2015 kur kemi filluar procesin, i kemi kaluar të gjitha provat e prokurorisë, i kemi dëgjuar gjithë ata dëshmitarë dhe në fund kemi dëgjuar fjalën përfundimtare të prokurorit. As në shkresa të lëndës dhe asnjë dokument dhe nga asnjë dëshmitarë nuk është thënë që edhe një cent është abuzuar nga unë gjatë kohës sa kam qenë ministër”, theksoi Fatmir Limaj.

“Me bindje e ndërgjegje njerëzore e profesionale që 0 cent është abuzuar nga unë gjatë kohës sa kam qenë në kapacitetin e ministrit. Jam krenar që pas këtyre 2764 ditë kjo që kam thënë unë tashmë është provuar sepse para jush nuk është prezantuar asnjë provë që vërteton akuzën e prokurorisë”, theksoi ai.

Tutje, Limaj theksoi se atij i është bërë publik.

“Prej 28 prillit 2010 e deri kur ka filluar gjykimi në 2015, për 5 vjet në mënyrë të orleatruae individë të papërgjegjshëm edhe në dimensionin njerëzor e profesional, njerëzit me disa medie nuk kanë lënë asgjë në tendencën për të shkatërruar personalitetin tim e familjen time”, tha Limaj në vazhdim të fjalës përfundimtare.

Fatmir Limaj tha se shpeshherë ka menduar pse e gjithë kjo, duke shtuar se nuk e ka ditur këtë në fillim.

Ky gjykim, kjo dramë, ka filluar me një letër dhe ja ku jemi sot, tha Limaj.

“Kam thënë që ka filluar me një letër dhe do të përfundojë me një letër dhe ja ku jemi sot. Pas gjithë atyre hetimeve të stërzgjatura kemi ardhë në gjykim dhe pas 2 vjetësh e gjysmë gjykim kemi ardhur përsëri tek kjo letër. Ka filluar dhe po mbaron me një letër – një ankesë e një personi”, tha Limaj, duke shtuar se personi që e ka bërë këtë ankesë fatkeqësisht ka vdekur në fund të janarit apo fillim të shkurtit.

“Hetimet për mua zyrtarisht kanë filluar më 28 prill 2010 me atë ankesë. Pa e verifikuar, pa e testuar besueshmërinë e asaj letre, pa pyetur dëshmitarë, pa hetuar dokumentet siç kërkohet nga ligji”, shtoi i akuzuari.

Më tej, Limaj përmendi rastin kur Prokuroria ishte futur për bastisje në shtëpinë e tij dhe në Ministri pa urdhër për bastisje. “Ju e keni parë në shkresa të lëndës se çka kanë gjetë në shtëpinë time e çka kanë gjetë në ministri: Kurrgjë. Kush nxitojke me bë atë veprim? Këto kanë qenë ato gjërat të cilat më janë sjellë nëpër kokë. Çka ka ndodhë, a muj me kuptu? Jam i bindur se nuk ka pasur arsye që të ndodhë kështu. Dalëngadalë, gjërat vinin duke u qartësuar për mua dhe kur filloi gjyqi besoj se tani ka filluar të bëhet e qartë edhe për ju”, shtoi ai.

Limaj i kërkoi të gjithëve ta vendosin vetën e tyre për një moment në vendin e tij, dhe të përballen me atë që ka ndodhur me tët për 7 vjet dhe atë që është parë në Gjykatë. “Çka do t’i thoshit këtij sistemi si njeri? A kemi siguri juridike këtu a jo?”, ka pyetur Limaj.

Gjatë fjalës përfundimtare të mbrojtjes, sot avokati i Limajt, Karim Khan kërkoi nga Gjykata të mos e dënojë klientin e tij, por atij t’i duartrokitet.

Dje fjalën përfundimtare në Rastin MTPT e dha prokurori Charles Hardaway që e quajti kancer korrupsionin në Kosovë./Kallxo.com