Limaj: S’jam për takime sa për t’u fotografuar (video)

(E plotësuar) Pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, kreu i Nismës, Fatmir Limaj u shpreh se zgjidhja do të arrihet shumë shpejt, duke respektuar shumicën dhe ligjet në fuqi.

Lajme

15/10/2014 17:52

I pyetur se a ka vendosur presidentja ndonjë afat kohor për zgjidhjen e ngërçit politik, Limaj tha se këto gjëra nuk mund të kushtëzohen me afate.

“Nuk kemi marrë ndonjë afat kohorë se deri kur presidentja do t’i pres që të gjejnë zgjidhje. Këto gjëra nuk mund të kushtëzohen me afate”.

Kreu i Nismës, Limaj gjithashtu tha se nuk është kundër që të takohen të gjithë liderët politikë por ai tha se nuk është për “takime sa për t’u fotografuar”.

“Nuk jam kundër takimeve me askënd por nuk është takime për takime sa për t’u fotografuar dhe momentalisht nuk shoh se ekziston mundësia për një takim të përbashkët ku do të mund të gjendet zgjidhja”, u shpreh Limaj. 

—————————————–

Vazhdojnë takimet e Presidentes Jahjaga me përfaqësuesit e partive politike. Takimi i dytë është duke u mbajtur me liderin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe sekretarin e kësaj partie, Bilall Sherifi.

Përfaqësuesit e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV, edhe kësaj radhe janë duke zhvilluar takime të ndara me presidenten Jahjaga.