Limaj: Qëndrimi i pozitës ka ndryshuar, por opozita u tregua e ngurtë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se qëndrimi i pozitës në raport me rezolutën për dialogun me Serbinë ka ndryshuar.

Lajme

01/11/2018 22:11

“Në shtator një pjesë e pozitës nuk kanë qenë të gatshëm të votojnë rezolutën e opozitës, ndërsa ne kemi qëndruar në sallë sepse kemi besuar se duhet votuar ajo rezolutë. Ndërsa para dy jave pozita ka ndryshuar qëndrim dhe ka përgatitur një rezolutë ku parashikohet edhe mos ndryshimi i kufijve. Është qe qartë që nga shtatori pozita ka ndryshuar qëndrim për rezolutën që parasheh mos prekje të kufijve”, është shprehur Limaj.

Limaj në “Debat Plus” tha se nëse NISMA do të votonte sot rezolutën e opozitës do të sillte përçarje dhe jo unitet.

“Opozita na tha nëse jeni te gatshëm votojeni rezolutën tonë, nëse jo mos e votoni, ata nuk ishin të gatshëm të mos shtohet asnjë pikë në rezolutën e prezantuar nga ata”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se me Thaçin ka vetëm takime zyrtare, por raportet e së kaluarës dhe sukseset e arritura së bashku nuk mund të injorohen.

“Me Thaçin e Veselin kemi pasur suksese të përbashkëta në luftë, Rambuje, në fitoren e PDK-së, prandaj nuk mund të harrohen edhe këto gjëra”, tha Limaj.

Por, ai tha se liderët opozitar shumë më tepër do të dëshironin të bashkëpunonin me Thaçin se më të.

“Nëse bëhen bashkë të gjithë liderët e opozitës shumë më lehtë do të pranon Hashimin se mu. Ata nuk kanë problem me Presidentin, por më shumë me ne”, tha Limaj.