Limaj: Qëllimi i programit tonë është të ndihmohen bizneset e vogla dhe të mesme

I pari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka zhvilluar një takim në pemishten ‘Besimi Comerc’ në Shtime ku ka shpalosur planin për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen ndaj bizneseve.

Lajme

30/05/2017 18:45

Limaj, tha se për katër vjet nuk kanë bërë premtime dhe as projekte, por që këto katër vite kanë analizuar çdo shtresë dhe sektor në Kosovë.

Ku pas kësaj analize kanë ardhur në përfundim se ku duhet të orientohen dhe që sipas tij, motori kryesor i programit të tyre është mbështetja e sektorit të bujqësisë e të biznesit.

Sipas Limajt siç e kanë cekur edhe më herët prioritet i qeverisjes së tyre do të jetë punësimi i një anëtari për çdo familje.

Sipas të parit të Nismës kjo arrihet duke e pasur parasysh që Kosova ka kapacitete buxhetore rreth 400 milionë euro për të investuar në bujqësi për katër vitet e ardhshme.

Ai tha se duhet të kalohet nga një bujqësi e mbijetesës që ka qenë deri më tani në kreditim të fuqishëm me qindra mijëra euro.

Ndërsa, Shyqyri Bytyqi, sekretari për ekonomi në Nisma për Kosovën, tha se qëllimi kryesor i programit të tyre është që të ndihmohen bizneset e vogla dhe të mesme.

Limaj, në fund përmendi se Kosovës i duhet një qeveri reformatore, e cila fillon të bëjë reforma të thella në secilin sektor.