Limaj pro shpërndarjes sa më shpejtë të Kuvendit

Lideri i NISMA-s, deputeti Fatmir Limaj, është shprehur pro shpërndarjes së kuvendit, dhe ka kërkuar që mos të vonohet ky vendim, por të votohet sa më parë. 

Lajme

07/05/2014 14:41

“Mirë është të shkohet drejt votimit dhe të vendoset me votë. Mua ma merr mendja që kur diçka fillon jo mirë, nuk ka fund tjetër, përveç këtij që po i vjen. Edhe vet ardhja e shpërndarjes e ka kuptimin e vet. Po të ishte organizuar mirë nuk do të vinte deri tek shpërndarja e kuvendit”, ka thënë Limaj në fjalimin e tij, në seancën e cila për pikë të rendit të ditës ka shpërndarjen e kuvendit. 

Ai ka kërkuar nga qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme të jenë të kujdesshëm e të mos sjellin më legjislaturë, sikur kjo që po shkon. 

“Mbi të gjitha kjo gjendje që është krijuar në parlament duhet të shihet si mesazh për qytetarët që të jenë të kujdesshëm se kë do të sjellin në parlamentin e ardhshëm. Ky parlament ka filluar mbrapsht dhe përfundon kështu. Objektivi është që të shkohet në zgjedhje dhe të vendosin qytetarët me votën e tyre për një parlament me përbërje më serioze”. 

“Pres që nesër Parlamenti i Kosovës të ketë deputet që të mos ketë persona që me dinjitet dinë të mbrojnë dhe përfaqësojnë interesat e vendit. Asnjëri nga ky parlament, kush më shumë e kush më pak, asnjëri me kokën lartë nuk do të dal nga ky parlament”.