Limaj porosit preshevarët: Mos prisni shumë nga kjo qeveri

Fatmir Limaj u ka thënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës se nga qeveria aktuale e Kosovës nuk duhet të presin shumë. Në një prononcim për “Presheva Jonë” ai u shpreh se Kosova nuk guxon të ketë politika të momentit, por politika të qarta e vizionare.

Lajme

26/03/2014 16:10

Lideri i Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se nga kjo qeveri nuk duhet pritur shumë. Ai ka thënë se shteti i Kosovës nuk guxon të ketë politika të momentit, por politika të qarta e vizionare. Në një prononcim për Presheva Jonë, Limaj ka shprehë keqardhje për qëndrimin indiferent të institucioneve të Kosovës, karshi problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

“Më vjen keq për qëndrimin indiferent të institucioneve tona karshi problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, thotë ai.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është serioze ndaj shumë temave në vend, e lërë më jashtë territorit”.

“Nga kjo qeveri nuk duhet të pritet shumë. Shteti i Kosovës nuk guxon të ketë politika të momentit, por politika të qarta e vizionare”.

Limaj, fitoren e dy deputeteve shqiptarë të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë – Riza Halimit dhe Shaip Kamberit – e sheh si fitore kombëtare.

“Lugina e Preshevës, në vend se të flas me një zë, do të flas fuqishëm me dy zëra në Parlamentin e Serbisë, duke sensibilizuar çështjen shqiptare atje dhe duke luftuar kundër padrejtësive e diskriminimit të shqiptarëve etnikë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”.

Limaj thotë se faktori politik shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duhet të jetë unik dhe i vendosur t’i qëndrojë prapa interesave të shqiptarëve në Luginë.