Limaj merr Iniciativë

Fatmir Limaj nuk e tha decidivisht se po ndahet nga PDK. Duket se e la për tjetër herë. Por, me gjithçka tregoi se rrugët po i ndajnë. Fjalimi i tij në Malishevë ishte legjitimim i çarjes së tij me PDK’në. Ai tha se përkrah Iniciativën Qytetare të Malishevës.

Lajme

23/09/2013 12:51

Fatmir Limaj, të hënën në mëngjes, i është rikthyer qytetit të tij të lindjes, Malishevës, ku në vitin 1999 kishte nisur karrierën e tij politike.

Rikthimi në Malishevë, në fakt, shënoi një fillim të ri për të.

Ai doli në përkrahje të Iniciativës Qytetare të Malishevës, e cila lindi nga ndarja e PDK’së në këtë qytet.

Në një tubim të organizuar në Sallën e Sporteve atje, Fatmir Limaj nuk e tha decidivisht se po ndahet nga PDK. Duket se e la për tjetër herë. Por, me gjithçka tregoi se rrugët po i ndajnë. Fjalimi i tij ishte legjitimim i çarjes së tij me PDK’në.

Ai tha se përkrah Iniciativën Qytetare të Malishevës dhe ftoi për të mos i votuar të korruptuarit dhe shkelësit e ligjit.

“Unë jam me ju. Unë kam vendosur t’i bashkohem Iniciativës Qytetare të Malishevës”, tha Fatmir Limaj.

“Malisheva duhet të votojë për Iniciativën e saj. Me 3 nëntor, qytetarët le të nisen drejt një fillimi të ri, jo vetëm në Malishevë, por në tërë Kosovën.”

“Unë do të vazhdoj të angazhohem për një shtet ligjor dhe për qeverisje demokratike. Unë do t’i mbështes njerëzit që respektojnë kompetencat e tyre ligjore dhe jo të tillët të cilët dëshirojnë t`i privatizojnë institucionet.”

“Njerëzit që janë në pushtet duhet ta kuptojnë se me qenë një pozitë partiake ose shtetërore, nuk është trashëgim, është kaluese, duhet të ndryshohen.”

“Unë kështu e kam kuptuar dhe kandidimin e Z.Ragib Begaj dhe Iniciativën Qytetare të Malishevës. Pikërisht kjo ka ndodhur me ta, duke mos pasur hapësirë për ndryshime, aty ku kanë qenë, dhe duke u ballafaquar me veprime të cilat nuk kanë lidhje me demokracinë, ata kanë vendosur që të dalin para qytetarëve me këtë alternativë për ta kërkuar besimin e tyre.”

“Andaj, duke besuar në këtë përcaktim të tyre, unë kam vendosur ta mbështes Ragib Begajn dhe Iniciativën Qytetare të Malishevës”.

“Unë ftoj që me 3 nëntor ta japim shembullin se dimë të votojmë për ndryshime pozitive në shërbim të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve tonë. Prandaj, Malisheva duhet të votojë për Ragip Begajn dhe për Iniciativën e tij”.

“Unë pres që qytetarët e komunës së Malishevës, më 4 nëntor, do të shënojnë një fillim të ri të demokracisë, jo vetëm në Malishevë por tërë Kosovën”.

“Edhe Drenasi dhe Prizreni edhe kudo që ka iniciativa që kanë për qëllim për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, do ta kenë mbështetjen time”.

“Jo vetëm Malisheva, kështu dua ta shoh gjithë Kosovën.”

“Dita e votimit është dita kur ju mund t`i dënoni të gjitha ata të cilët nuk kanë pasur sjellje demokratike ose qeverisjen që ju e keni pritur. E keni rastin që t`i largoni ata dhe t`i sillni njerëzit e rinj. Ose, nëse jeni të kënaqur me ata që kanë qeverisur, do ta keni rastin për t`jua vazhduar atyre.”

Fatmir Limaj, gjatë fjalimit të tij të gjatë, foli edhe për “shantazhet e pushtetit” në Malishevë, në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Askush nuk ka të drejtë që njerëzve me kërcënime t`ua ndryshojë mendimin. I mjeri ai i mjeri, i mjerë ai pushtet i cili kërkon t`i fitojë votat me kërcënime”, tha Limaj.

“Ju që jeni në administratë, me 3 nëntor, duhet të jepni mesazhin që diktatorë nuk pranojmë.”

“Për ata që mendojnë t’i manipulojnë votat, e kam një mesazh, sidomos për komisionarët: mos gaboni t’i dëgjoni ata që ju thonë me vjedhë, se ata ju lënë në burg vetëm”.

Limaj është pritur me ovacione të mëdha dhe duartrokitje të pandalshme nga qytetarët e Malishevës, në Sallën e Sporteve të qytetit “Habib Zogaj”. Është pritur me pankarta të shumta, me të cilat ai është quajtur Hero i Luftës dhe i Paqes, Simbol i Fitoreve, etj.

Tubimi në të cilin ka marrë pjesë Fatmir Limaj është organizuar nga Iniciativa Qytetare e Malishevës, e cila është formuar nga ndarja e PDK’së në këtë qytet.

(Video: lajmi.net)