“Like” nga Amerika

Kongresi Amerikan uron Petrit Selimin për njohjen e Kosovës nga Facebook. Ndërsa, ZëvendësMinistri Selimi thotë se ky pranim i hap shumë rrugë shtetit të Kosovës.

Lajme

19/11/2013 16:20

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan e ka uruar ZëvendësMinistrin e Punëve të Jashtme Petrit Selimi për pranimin e Kosovës si shtet në rrjetin më të madh social në botë, Facebook.

“Urime ZëvendësMinistrit të Punëve të Jashtme Petrit Selimi për njohjen e Kosovës nga Facebook dhe për përpjekjet e mëdha për Kosovën Digjitale”, ka shkruar në profilin e vet në Twitter Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan, i cili drejtohet nga Kongresisti Amerikan Elliot Engel.

Në një deklaratë për lajmi.net, ZëvendësMinistri Selimi, i cili është i përfshirë në projektin e diplomacisë digjitale të Kosovës, ka thënë se ky pranim i hap shumë rrugë shtetit të Kosovës.

“Njohja e Kosovës nga Facebook nuk është vetëm për nevoja të kosovarëve që lidhen me këtë rrjet social, por ka impakt të madh edhe në biznese kosovare dhe mundësitë që afron Facebook për reklamim dhe promovim në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”.

“Kryeministri Thaçi edhe vetë ka qenë në kontakt këto javë për të shpejtuar njohjen nga Facebook, ndërsa edhe Kongresisti Amerikan Engel ka qenë i përfshirë në këtë lobim”, ka thënë Selimi për lajmi.net.