Ligjin për Investime të Huaja, probleme në realizim

Sot Oda Ekonomike e Kosovës, asociacioni i bizneseve dhe komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik kanë diskutuar për Ligjit mbi Investimet e Huaja.

Lajme

17/03/2015 16:41

Kryetari i komisionit, Besim Beqaj tha se qëllimi i këtij takimi është vlerësimi i asaj se sa po realizohet ligji dhe se pret që në këtë takim të jepen vlerësimet reale dhe të argumentuara lidhur me problemet me të cilat ballafaqohen bizneset të cilat janë të interesuara për të investuar në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu tha se është shumë me rëndësi që me këtë takim po fillohet një praktikë e re në punën dhe bashkëpunimin e Kuvendit te Kosovës me komunitetin e biznesit dhe se duhet vazhduar dhe thelluar një qasje te tille posaçërisht kur behet fjale për hartimin e legjislacionit te ri.

Gërxhaliu u angazhua qe Agjencia për promovimin e Investimeve të bëhet pjesë e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe theksoi se fakti që ka shumë adresa të cilat kanë për detyre promovimin e investimeve po sjell huti dhe po ndikon negativisht në këtë proces.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane ne Kosove, Arian Zeka theksoi se nga anëtaret e këtij asociacioni është kërkuar qe te japin vlerësimet e tyre lidhur me ligjin dhe implementimin e tij dhe se nga ta nuk ka marre vërejtje, por theksoi se realizimi i tij po shkakton probleme dhe si rast konkret përmendi kërkesën e paraparë nga MPMS që të punësuarit nga jashtë të sigurojnë certifikatën që nuk janë nën hetime, certifikatë e cila në shumicën e vendeve prej nga vijnë investitorët e huaj nuk kërkohet.

Vjosa Huruglica nga seksioni për ekonomi i Ambasadës se Austrisë në Kosovë theksoi se në bazë të eksperiencave të deritashme bizneset austriake i vlerësojnë në tërësi si të mira kushtet për investime sektoriale por në përgjithësi nuk janë të kënaqur me zgjidhjet ligjore.