Ligji për Veteranët të enjten në Kuvend

Ligji për Veteranët e luftës së UÇK-së do të jetë në rend dite seancën e radhës që do të zhvillohet të enjten, përkundër mosmarrëveshjeve që vazhdojnë rreth FARK-ut.

Lajme

31/03/2014 10:27

Kryesia e Kuvendit të hënën ka vendosur që Ligji për Veteranët e UÇK-së, të futet si pikë e rendit të ditës në seancën plenare të radhës të Kuvendit të Kosovës, që zhvillohet të enjten.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se për të është e parëndësishme që kur të miratojnë një ligj të bëjmë histori në Parlament, pasi sic ka thënë ai, ligjëvënësit nuk shkruajmë histori, por miratojnë ligje, në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Kur kemi biseduar me faktorin ndërkombëtar, ata kanë bërë përpjekje që të thonë se në Kosovë kanë luftuar grupacione politike. Unë atëherë ju kam pas thënë atyre që në Kosovë nuk ka pasur grupacione ushtarake, por ka qenë një Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe gjithçka është zhvilluar në atë emblemë”

Edhe Ilmi Reçica nga PDK ka thënë se gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk ka pasur komandë tjetër, përveç Shtabit të Përgjithshëm të UÇK0-së.

Ministria e Mbrojtjes është themeluar si pjesë e marrëveshjes politike të Rambujesë, dhe sipas tij, nëse mendohet për atë ministri, atëherë ajo ka qenë pjesë e kontrollit politik.

Reçica  ka thënë se duhet t’u njihet statusi i veteranit të gjithë atyre që kanë bart emblemën e UÇK-së.

Ndërsa Ardian Gjini nga AAK ka thënë se do të ishte absurd i llojit të vet, nëse do të mohohej e drejta e të qenit veteran i UÇK-së cilitdo individ që ka marrë pjesë në luftë.

“Është absurd me llogarit se çfarë lojaliteti politik ka pasur dikush në kohë të luftës dhe të vendos se a duhet të jetë veteran apo jo. Edhe ata që kanë besuar se janë ushtar të FARK-ut e kanë pasur një emblemë të UÇK-së edhe ata kanë luftuar edhe prej tyre ka pasur ushtarë që janë vrarë. Ne nuk po flasim këtu për FARK si koncept politik, por për njerëz që kanë qenë në luftë”.

Ismet Beqiri nga LDK ka përsëritur se është e çuditshme dhe e habitshme, e papranueshme edhe fyese, edhe injoruese se çfarë po thotë Kryeministri Hashim Thaçi.

“Ne mbesim pranë qëndrimit që amendamentet tona janë absolutisht të bazuara dhe ata që po i dëshirojnë me i nda ushtarët, janë kryetari i PDK-së dhe PDK. Ne nuk na pengon që të figurojnë të gjithë ata që kanë luftuar nën komandën dhe zinxhirin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por të tjerët po i pengon që të figurojë edhe Ministria e Mbrojtjes”, ka thënë Beqiri.