Ligji për Qeverinë të zvogëlojë numrin e ministrive, jo më shumë se 13

Përfaqësuesit e shoqërisë civile po e vlerësojnë si hapë të mirë dhe të nevojshëm vendimin e ekzekutivit të Kosovës, për hartimin e Ligjit për Qeverinë.

Lajme

10/05/2018 14:38

Qeveria të martën ka formuar një ekip i cili do të merret me hartimin e Ligjit për Qeverinë, ku parashihet edhe përcaktimi i numrit të ministrive.

Sipas përfaqësueseve të shoqërisë civile një qeveri e vogël ka më shumë efekte pozitive.

Visar Rushiti analistë politikash në Demokraci Plus (D+), ka thënë për lajmi.net se ligji do duhej të përcaktonte numrin e ministrive që duhet të ketë Qeveria.

Ai ka treguar edhe dobitë që do të ketë një qeveri më numër më të vogël të ministrive, se sa që kanë pasur deri tash qeveritë e Kosovës.

“Një Qeveri më e vogël ka shumë efekte pozitive por të paktën dy mund të përmenden këtu: ruajta e buxhetit për shkak të uljes së shpenzimeve qeveritare dhe koordinimi më i lehtë i punëve në një Qeveri me më pak ministri”, ka thënë Rushiti për lajmi.net.

Deri më tani përbërja e qeverive të Kosovës ka qenë më numër të madh të ministrive e zëvendësministrave, duke qenë ndër më të mëdhatë në Evropë.

Qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra, ndërkaq sipas Rushtit, numri i ministrive duhet të reduktohet në 13.

“ Numri i ministrive nuk duhet të jetë më i madh se 13 dhe të gjitha ministritë duhet të organizohen sipas fushave të punës dhe të evitohet përfshirja e disa ministrive në një fushë të njëjtë ose të përafërt të punës. Numri i zv/ministrave duhet të jetë një për ministri derisa numri i zv/kryeministrave jo më shumë se dy”, ka thënë Rushti.

Që nga pas lufta asnjë qeveri nuk ka arritur të hartojë një ligj të tillë, pavarësisht se ka pasur përpjekje për një gjë të tillë.

E vonesa në hartimin e këtij projektligji mendon se do të ketë përsëri Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ai për lajmi.net thotë se lidhur me hartimin e Ligjit për Qeverinë nuk ka pajtime në mes të partive politike.

“Tash e sa kohë qeveritë e kaluara janë munduar që ta procedojnë projektligjin për Qeverinë ose të paktën e kanë përfshi në agjendën legjislative, mirëpo asnjëherë nuk kanë arrit që ta procedojnë në Kuvend”.

“Edhe kësaj herë do të besoj se do të ketë vonesa për procedim në Kuvendin e Kosovës, po edhe nëse procedohet atëherë do të fillojnë qasjet e ndryshme të subjekteve politike, sa i përket përcaktimit të numrit të ministrive, pasi këtu nuk ka një pajtueshmëri mes subjekteve politike se si do të procedohet Projektligji për Qeverinë”, është shprehur Murtati.

Ai ka vlerësuar se hartimi i këtij  ligji është i nevojshëm, pas sipas tij, mënyra se si po krijohen qeveritë më shumë po bëhet për të rehatuar militant  partiak ose persona që përbëjnë koalicionin qeverisës.

Kryeministri Haradidaj të martën në mbledhjen e ekzekutivit pas  themelimit e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë, u shprehë se me këtë vendim dërgojmë një porosi të mirë te BE-ja, se gjendja e qeverisë dhe mënyra e ndërtimit të qeverisë nuk është eksperiment i pakufi.

“Qeveria është kjo që është dhe unë mendoj se është funksionale, po i kryen punët e veta, mirëpo si qeveri e vendit dhe si vend që po aspirojmë të bëhemi anëtarë i BE-së, Ligji për qeverinë është i nevojshëm, një ligj i cili do të definonte numrin e resorëve, numrin e ministrive, numrin e gjithë përgjegjësve, përfshirë zëvendëskryeministrat, zëvendësministrat. Ky është një proces i cili i takon qeverisë ta bëjë dhe unë e di se një pjesë e punës është bërë në të kaluarën”, ishte shprehur Haradinaj.

Hartimi i Ligjit për Qeverinë, është i paraparë edhe Programin Legjislativ të ekzekutivit për vitin 2018. Ky ligj parashihet të përfundojë në 20 nëntor të këtij viti./Lajmi.net/