Ligji për FAK-un pritet të miratohet të hënën në Kuvend

Adem Grabovci i PDK-së është i bindur se nuk do të ketë probleme me vota sa i përket miratimit të amendamenteve dhe Projektligjit që ka të bëjë me FAK. Arben Gashi i LDK-së thotë se votat e partisë së tij për ushtrinë janë të garantuara. Edhe Mahir Yagcilar, nga komuniteti turk, thekson se është pro themelimit të Forcës së Armatosur.

Lajme

04/05/2014 17:51

Gjatë ditës së hënë Kuvendi i Kosovës pritet të debatojë dhe të vendosë nëse ka votat e nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, shkruan REL.

Megjithatë, ushtria e ardhshme e Kosovës vazhdon të mbetet peng i komuniteteve pakicë. Përfaqësuesit serbë janë ata që po vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre për vazhdimin edhe për dy mandate të ulëseve të rezervuara, në këmbim të votës së tyre për miratimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me transformimin e FSK në Forca të Armatosura.

Por, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci shprehet i bindur se në seancën e nësërme do të do të sigurohen votat e mjaftueshme për këtë çështje.

“Sa i takon votave, ne thellësisht jemi të bindur që nuk do të kemi problemi dhe çdo gjë do të kalojë në normalitet, ashtu siç edhe i takon të shkojë. Nuk e besoj që asnjë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është kundër formimit të Forcave të Armatosura, sepse formimi i kësaj force prodhon siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale”, tha Grabovci për Radion Evropa e Lirë.
 
Grabovci foli me siguri edhe për votat e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ato nuk do ta kundërshtojnë dhe se do të votojnë pro themelimit të Forcës së Armatosur.
 
“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se edhe nesër, të gjithë, pa përjashtim do ta japin votën e tyre pro kalimit të këtij ligji për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë, asnjëherë deri më tash, gjatë takimeve konsultave që kemi pasur, nuk kemi hasur në ndonjë kushtëzim nga minoritarët, këtë e them për korrektësi”, u shpreh Grabovci.
 
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha për Radion Evropa e Lirë se votat e deputetëve të LDK-së për ushtrinë janë të sigurta.  

“Votat e Lidhjes Demokratike për ushtrinë janë të garantuara, ndërsa sa i përket vendeve të rezervuara për komunitete), po ashtu janë e kundërta e garantimit, që do të thotë se ne nuk i japim votat për vendet e rezervuara. Dhe nuk duhet t’i votojmë, sepse rrezikohet përfaqësimi dhe rrezikohet balancimi i pushteti dhe shtetit të Kosovës. Kështu që me këtë arsyetim, ne nuk e japim votën”, theksoi Gashi.

Në anën tjetër, Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, tha se deputetët e komunitetit turk në Kuvend do të votojnë pro formimit të ushtrisë së Kosovës. Ai tha po ashtu se kjo është çështje dhe interes i vendit.
 
“Unë besoj që edhe në Grupin 6+, po besoj edhe në komunitete që janë jashtë grupit parlamentar 6+, do të veprohet në mënyrën konstruktive dhe se do të votohet për Forcat e Armatosura të Kosovës”, tha Yagcilar.
 
Megjithatë, ministri Yagcilar kritikon përfaqësuesit e institucioneve që për këtë çështje dhe të tjera, ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi më komunitetet.
 
“Presim që në të ardhmen të ketë kulturë të bisedimeve brenda Parlamentit dhe me zyrtarët e lartë shtetërorë”, tha Yagcilar.
 
Ndërkaq, deputetja Jasmina Zhivkoviq, nga Partia e Pavarur Liberale, shprehet shkurt se ende nuk ka një qëndrim të prerë nëse do të votohet për apo kundër këtin projektligji:  
 
“Është ende herët, ndoshta po e ndoshta jo. Çdo gjë mund të pritet”.