Ligji i ri, shqiptarët do të përgjohen edhe në dhomat e gjumit

Shqiptarët do të jenë më të përgjuar se herët e tjera madje dhe brenda shtëpive me kamera. Projektligji i ri i paraqitur në Kuvend, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, “Për përgjimin e komunikimeve elektronike” do të japë mundësi të pakufizuar organeve të specializuara, tashmë dhe me synimin e parandalimit të ndonjë krimi, të “fusin hundët” dhe në ambientet private, shtëpi apo vende të tjera te të dyshuarit, raporton “Shekulli”.

Lajme

16/01/2017 15:11

Përgjimet do të kenë dhe në forma të tjera si me videoresgjistrime dhe kjo parashikon vendosjen e kamerave në ambientet e brendshme private. Emailet, telefonatat, komunikimet e tjera elektronike, si dhe videoregjistrime, bisedat private dhe publike janë tashmë të përfshira në . “Në pikën 1 pas fjalëve “…SHISH realizon vetëm proceset teknike te përgjimit…” shtohen fjalët “…komunikimeve elektronike, video survejimit të fshehtë të mjediseve private dhe publike ose të dëgjimit dhe regjistrimit të fshehtë të bisedave në mjediset publike dhe private…”, thuhet në nenin 12 të këtij drafti.

Projektligji bën të qartë se në çështjen e përgjimeve ka pasur përplasje mes institucioneve, ose paqartësi, ose cilësi të dobët të përgjimeve, mes Policisë apo Prokurorisë së Përgjithshme. Ky projektligj pritet të hapë shumë debate në lidhje me respektimin e jetës private, e parashikuara në Konventën e të Drejtave të Njeriut, apo dhe te vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Ndryshimet në ligjin nr.9157, datë 04.12.2003”Për përgjimin e Komunikimeve elektronike “ i ndryshuar ,janë reflektim i gjetjeve dhe problematikave të evidentuara në dokumentin analitik si: “Procedura për kryerjen e përgjimeve/ mbikëqyrjeve të komunikimit janë problematike. Ndërsa KPP duket se lejon autorizimin e përgjimit dhe mbikëqyrjen/ kontrollin nga çdo prokuror, një ligj i vitit 2003 e ka centralizuar përgjimin në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk është e qartë nëse të gjitha përgjimet duhet të kryhen në Prokuroria e Përgjithshme (përfshirë, për shembull, sinjalet marrëse nga pajisje përgjimi) ose nëse kjo vlen vetëm për përgjimin e thirrjeve telefonike. Në praktikë, ndërsa përgjimi i thirrjeve telefonike bëhet në Prokuroria e Përgjithshme , përgjimi i komunikimeve të tjera kryhet në zyrat e Policisë së Shtetit, një situatë që krijon probleme ligjore. Qoftë kur zbatohet për thirrjet telefonike ose për të gjitha format, përgjimi i centralizuar nuk është një zgjidhje e efektshme, sepse koordinimi verbal ndërmjet prokurorit të çështjes, që kërkon përgjimin, dhe oficerit të Policisë Gjyqësore, që e kryen atë nga ambientet e PP¬ së, është minimal. Kjo sjell si pasojë cilësinë e dobët të përgjimeve”, thuhet në relacionin e këtij drafti.

Gjithashtu theksohet se në dokumentin e Strategjisë përmendet nevoja e një legjislacioni, i cili duhet të parashikojë rregulla të qarta për përgjimin e komunikimeve dhe përdorimin e provave të marra nga qytetarët, apo media si dhe përcaktohet se ndryshimi i Kodit së Procedurës Penale dhe legjislacionit për komunikimet elektronike, duke parashikuar dispozita që lehtësojnë hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, të tilla si afate të posaçme, aksesi i papenguar i hetuesve në të dhënat telefonike dhe elektronike, zgjerimin e rrethit të provave tej parashikimeve klasike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke lejuar përdorimin agjentit provokator, regjistrimeve dhe filmimeve të marra nga individët dhe media, dëshmive të dhëna nga dëshmitarët anonimë.

Përgjimet nuk do të jetë një e drejtë ekskluzive e Prokurorisë së Përgjithshme, por për të gjithë prokuroritë, e veçanërisht Byroja Kombëtare e Hetimit. Ndërsa pajisja e përgjimit nuk do të jetë më në varësi të këtij institucioni, por te Prokuroria e Posaçme.

“Brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pajisjet që bëjnë të mundur proceset teknike të përgjimit sipas këtij ligji do të instalohen në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme përcakton me vendim datën kur përfundon instalimi sipas paragrafit 1. Brenda 10 ditëve pas këtij vendimi, çdo përgjim i autorizuar dhe që është duke u kryer, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme e transferohet në Prokurorinë e Posaçme. Çdo material tjetër përgjimi çështjet që janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme transferohen sipas kërkesës përveçse kur asgjësohen në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Udhëzimi i përbashkët sipas nenit 20 paragrafit 2 të këtij ligji nxirret brenda 3 muajve pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në nein 27 të projektit .

Gjithashtu parashikohet që së shpejti, çdo shërbim informativ mund të realizojë përgjime.

“Drejtori i SHISH¬-it, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve elektronike nëpërmjet pajisjeve te komunikimit elektronik, dhe video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike. Prokuroria kompetente paraqet kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit ose video survejimeve të fshehta në vende publike dhe private tek kryetari i gjykatës së posaçme të apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në mungesë të tij tek zëvendëskryetari. Kryetari i gjykatës së posaçme të apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në mungesë të tij, zëvendëskryetari pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim për përgjim, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve me anë të pajisjes elektronike të komunikimit, ose video survejimit të fshehur të ambienteve publike dhe private”, theksohet në nenin 8 të projektit.

Sipas ndryshimeve kushtetuese të propozuara përveç Prokurorit të Përgjithshëm edhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të ketë kompetenca në fushën e drejtësisë penale. Të njëjtat kompetenca të dhëna Prokurorit të Përgjithshëm, siç thekson dhe relacioni, duhet t’i jepen Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Byroja Kombëtare e Hetimit, si një seksion i specializuar i Policisë Gjyqësore, në Prokurorinë e Posaçme, duhet që, në bazë të këtyre ndryshimeve të ketë të njëjtën mundësi si Policia e Shtetit. Përgjime dhe pa vendim gjykate Për realizimin e përgjimeve merret një vendim gjykate, sipas një procedure të përcaktuar. Përgjimet e realizuara ruhen deri në 3 muaj, e më pas me vendim gjykate mund t’i shtyhet afati i ruajtjes së tyre, jo më shumë se sa tre muaj. Por një nen i posaçëm parashikon këto përgjime të nisin pa një vendim gjykate, veç me një leje të dhënë nga kryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit.

“Për situata emergjente, me kërkesë verbale te drejtuesit te institucionit shtetëror informativ, sipas nenit 6 te këtij ligji, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ose një prokuror i autorizuar prej tij sipas nenit 8 të këtij ligji, kryetari i gjykatës së posaçme te apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, urdhëron me shkrim realizimin teknik te procesit te përgjimit ose video survejimit. Urdhri regjistrohet menjëherë ne evidencat e bërthamës komanduese elektronike prokurorisë kompetente dhe te specialistet e Strukturës Përgjegjëse të Përgjimeve në SHISH ose seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Me regjistrimin e urdhrit, specialistet e Sektorit te Përgjimeve ose të seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme realizojnë procesin e përgjimit. Brenda 8 orëve nga fillimi i përgjimit ose video survejimit, institucioni shtetëror informativ qe ka bere kërkesën, i paraqet Prokurorit të Përgjithshëm ose Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkesën e rregullt me shkrim, e cila përmban arsyet e veprimeve emergjente se bashku me komunikimin e përgjuar te zbardhur. Mbi këtë baze merret vendimi përkatës brenda 24 orëve për vazhdimin ose ndërprerjen e përgjimit”, thuhet në nenet e këtij drafti.