Ligji i ri i pagave s’e largon askënd nga puna

Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe ajo e Financave janë në fazën e fundit të përgatitjes së projektligjit të ri të pagave.

Lajme

23/03/2015 07:50

Ministri i MAP-së, Mahir Yagcilar ka thënë për “Epoka e Re” se në muajin prill do ta dorëzojnë në Qeveri për miratim këtë projektligj.

“Në bashkëpunim me ministrin e Financave jemi në fazën e finalizimit të projektligjit të ri të pagave. Besoj se në fillim të muajit prill do ta dërgojmë në qeveri”, ka thënë ai, duke shtuar se ky projektligj ka gjasa të hyjë në fuqi me rastin e rishikimit të buxhetit, i cili zakonisht ndodh në gjysmën e dytë të vitit ose nga janari i vitit 2016.

Ministri Yagcilar ka thënë se qëllimi i këtij projektligji nuk është ulja e pagave në sektorin publik, por nivelimi i tyre. Ai ka thënë që punëtorët që bëjnë të njëjtën punë do të paguhen njësoj, pavarësisht se në cilin institucion publik punojnë.

“Askush nuk mund ta thotë këtë, sepse këtu bëhet fjalë për nivelim të pagave. Nëse thuhet nivelimi i pagave, atëherë diku mund të ndodhë rritja e pagave, në disa vende ku është tejkaluar balanca e pagave, atëherë mund të ndodhë ulja e tyre. Pra, qëllimi nuk është ulja e pagave, por nivelimi i të gjitha pagave. Paga për të njëjtën punë do të paguhet njësoj varësisht në cilin institucion publik punon”.

Yagcilar ka përjashtuar çdo mundësi se me hyrjen në fuqi të këtij projektligji do të shuhen mijëra vende punë në sektorin publik.

“Projektligji për pagat nuk është për largimin  njerëzve nga puna, por vetëm për nivelimin e pagave. Ky projektligj nuk ka të bëjë me shuarjen e vendeve të punës, por vetëm me unifikimin e pozitave”, ka thënë ai.