Ligji i Prokurimit lejon kritere të ndryshme në projekte të ngjashme në ndërtim (video)

Ligji i Prokurimit Publik që hyri në fuqi në vitin 2011, nga atëherë ka pasur katër ndryshime brenda tij e që nuk kanë qenë të mjaftueshme. Edhe tani parashihet nevoja e intervenimit në rishikim të dispozitave ligjore sa i përket menaxhimit të kontratave kjo pasi që po ul cilësinë dhe po rrit koston e shpenzimit të parasë së tatimpaguesve.

Lajme

11/10/2017 15:22

Sipas njohësve të Ligjit të Prokurimit, problemet në këtë ligj po shfaqen atëherë kur po lindin kontestet e ndryshme gjatë vlerësimit të ofertave dhe mënyrën se si aktivizohen aktivitetet tenderuese.

E fusha më problematike sa i përket Prokurimit Publik në Kosovë dhe numri më i madh i rasteve të cilat përfundojnë përmes ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) është fusha e ndërtimit.

“Një nga pikat kyçe ku do të duhej të intervenohej sa më shpejtë është rishikimi i dispozitave ligjore për sa i përket menaxhimit të kontratave, si një nga pikat kritike që ul cilësinë dhe rrit koston e shpenzimit të parasë të tatimpaguesve. Një element tjetër që do të mund të ndryshohej janë përfshirja e dispozitave ligjore për rritjen e transparencës ku qytetarët do të mund t’i shihnin planet e prokurimit si dhe kontratat në një kohë reale”, ka thënë Diana-Metushi-Krasniqi nga KDI.

Njëri nga avokatët që përfaqëson palët që kanë probleme me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), Visar Ramaj, për Ndërtimi.info ka thënë se ekziston nevoja për ndryshime në këtë Ligj. Ai ka theksuar dizjanimi për tenderë para se ato të shpallen dhe të ekzistojë monitorimi i institucioneve se si realizohen ato punime.

“Faza e parë është kriteret që i dizajnojnë për tenderë të ndryshme vetë institucionet para se t’i shpallin ato, mandej uniformiteti i tenderëve do të thotë nëse kemi një fushë sporti apo një objekt  administrativ, kriteret mes Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Prizrenit ish kon dashtë me qenë të njëjta për kompanitë e interesuara dhe problemi më i madh është me monitorimin që këto institucione iu bëjnë dhe mënyrën se si realizohen ato kontrata që jepen përmes tenderëve publike. Do të thotë ka raste kur kompanitë serioze e fitojnë tenderin, plotësojnë komplet kushtet edhe punojnë me punë jo cilësore për shkak që ka munguar monitorimi prej vetë institucionet që e ka dhënë atë tender”, tha Ramaj.

Ndryshimi esencial i Ligjit të Prokurimit në sektorin e ndërtimit, sipas Ramajt, do të duhet të bëhet në pikën ku projektet e ngjashme duhet të kenë edhe kritere të njëjta, e jo sikur ndodh sot që projektet e ngjashme kanë kritere të ndryshme.

Kjo pasi që edhe pse ekziston në Ligj çështja e diskriminimit, ajo nuk është e rregulluar në mënyrë të detajuar, e që në këtë mënyrë i jep mundësinë institucionit që në tender të vënë kritere diskriminuese.

“Nëse në një projekt të caktuar kërkohet që me pas referenca për tri projekte të ngjashme, me një projekt  mundet mos me qenë, ku i bie që i jep mundësi institucioneve që e shpallin tender me vendos kritere diskriminuese në mënyrë që me favorizu një kompani të caktuar dhe krejt tjera me i nxjerrë të papërgjegjshme, ose për me eleminu një kompani të caktuar…Kjo është njëra nga çështjet të cilën legjislacioni i ynë nuk e rregullon në mënyrë të detajuar”, sqaron Ramaj.

Ndryshim tjetër sipas Ramaj është edhe planifikimi i prokurimit.

“Si ndryshime është edhe çështja e planifikimit të prokurimit. Do të thotë të mos jetë e mjaftueshme që vetëm kur shpallet tenderi një kompani të njoftohet, por ekzistimi i planeve pak më afatgjate është esenciale. Nëse ne e dimë që gjatë katër viteve të ardhshme një komunë e caktuar e Kosovës ka me i ndërtu 10 shkolla, që të kenë mundësitë kompanitë që qysh tani të përgatiten për tenderat që kanë me ardh”, shtoi Ramaj.

Së fundmi në kontratat e dhëna për tenderë nga komuna të ndryshme të vendit, po teljakojnë edhe parashikimet shumave që po paracaktohen. Madje disa prej komunave po nënshkruajnë tenderë me 100 për qind rritje në çmime.

E kjo sipas njohësit të këtij Ligji thotë se në rast se oferta e kompanive është më e lartë se vlera e parashikuar, tenderi duhet të anulohet.

“Nuk mund të jepet kontrata një kompanie e cila e ka ofertën më të lartë se sa vlera e parashikuar e kontratës që del në dosjen e tenderit. Çështja e dytë është për ndryshime në çmim. Ky ka qenë problem  shumë i madh i Prokurimit edhe me ndryshimet e reja në vitin 2016 që janë bërë në Ligjin e Prokurimit është vendosur që nëse gabimet në aritmetikoren ndryshojnë se 2 për qind në çmim të ofertës do të thotë të mbledhjes, zbritje në mes të pozicioneve të caktuara ë ndërtim atëherë komplet tenderi i asaj kompanie duhet me u shpall i papërgjegjshëm dhe ai duhet të eliminohet”, ka përfunduar Ramaj.

Pakënaqësitë më të mëdha që adresohen në OSHP janë lëndët e sektorit të ndërtimit, kjo pasi që vlera e kontratave është më e madhe dhe investimet e qeverisë janë kryesisht në sektorin e ndërtimi. Këtu bëhet që interesi i kompanive të jetë jashtëzakonisht më i madh./Ndertimi.info