Ligji i luftës i lë pa prona shqiptarët në Greqi

Shqipëria dhe Greqia janë në diskutime mes tyre për t’i dhënë zgjidhje çështjes së nxehtë të ligjit të luftës. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, deklaroi dje në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm se të dyja palët janë angazhuar për të gjetur zgjidhje mbi çdo çështje të së kaluarës që mbart ngarkesa negative.

Lajme

18/02/2016 10:36

Gjatë raportimit mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, ai theksoi gjithashtu se nuk ka më asnjë çështje tabu, e cila nuk është hedhur në tryezën e diskutimeve. Mësohet se edhe në diskutimin me dyer të mbyllura, Qirko ka informuar më tej mbi faktin se edhe pala greke tashmë është e vetëdijshme për heqjen e një ligji absurd i cili do të mundësonte edhe heqjen e sekuestros konservative të pronave të shqiptarëve.

Një kuadër të marrëdhënieve dypalëshe është diskutuar edhe çështja çame. Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Shpëtim Idrizi ka akuzuar diplomacinë shqiptare se nuk është në lartësinë e duhur dhe se nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të hartuar një paketë të plotë me fakte ligjore e historike në mbrojtje të çështjes çame përballë Greqisë. Zyrtarë të Ministrisë se Jashtme i rrëzuan këto pretendime.

Nevoja për gjetjen e një zgjidhje për ligjin e luftës është pranuar tashmë edhe nga Greqia. Qirko tha dje se të dyja palët po diskutojnë për këtë çështje.

“Palët po diskutojnë dhe po angazhohen të gjejnë zgjidhje edhe për çështje që mbartin ngarkesa nga e kaluara historike e dy vendeve tona ku pika më e ndjeshme në këtë drejtim është ligji anakronik i luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, anulimi i të cilit do të çlironte shumë energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, shkëputje nga paragjykimet e vjetra historike dhe mbajtjen gjallë të kauzave apo grupeve nacionaliste”, deklaroi dje Qirko në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm.

Ligji i luftës i vendosur që në vitin 1940 ka përcaktuar dhe vendosjen e sekuestros mbi pronat e shtetasve të shteteve armike, siç i cilësonte Greqia, mes të cilëve janë edhe shqiptarët. Kjo ka bërë që edhe sot e kësaj dite kur ligji nuk është anuluar ligjërisht, pronat të vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Pikërisht për këtë arsye, ka sqaruar Qirko në mbledhjen me dyer të mbyllura, të dyja palët po diskutojnë për të gjetur një zgjidhje praktike. “Përfundimisht edhe pala greke është e vetëdijshme për nevojën e heqjen e një ligji absurd i cili në mënyrë të padiskutueshme do të çlirojë energji pozitive si këtej dhe andej, pra hiqen paragjykimet.

Greqia ka vendosur ligjin e luftës që në vitin 1940, me dekretin nr. 2636 të mbretit Jorgo dhe më pas me dekretin nr. 2637 është vendosur sekuestro konservative e pronave të shtetasve të vendeve armike, siç janë cilësuar nga Greqia, mes të cilëve edhe shqiptarët.

Kjo ka bërë që edhe sot e kësaj dite çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi të jetë e bllokuar edhe pse ministri i Jashtëm grek, Evangjelos Venizelos deklaroi në vitin 2013, gjatë vizitës në Tiranë se ligji i luftës është hequr nga Greqia që në vitin 1987. Një dokument zyrtar i Ministrisë se Jashtme greke, dërguar ambasadës se Shqipërisë në Athinë në 28 qershor të vitit 1999, tregon qartë dyzimin e qëndrimit grek mbi ligjin e luftës. /Shekulli.al