Ligat në mesjavë, super ndeshje në Serie A

Serie A, La Liga e Bundesliga zhvillojnë ndeshje të mesjavës.

Sport

25/09/2018 12:55

Mesjavë e ngjeshur me ndeshje nga tre kampionatet elitare në Europë, Seria A, Bundesliga dhe la Liga. Kështu këtë të martë, futbolli italian përfaqësohet me një sfidë mjaft të nxehtë, Inter-Fiorentina, që do të nisë në orën 21:00, në “San Siro”.

Pritshmëritë për këtë përballje janë të larta, pasi të dyja skuadrat vijnë pas sukseseve në kampionat, zikaltrit me Sampdorian 0-1 dhe skuadra vjollcë me Spalin 3-0, aq më tepër që në 4 ndeshjet e fundit të luajtura në “San Siro” janë shënuar plot 15 gola, me nga dy fitore për secilën skuadër. Projektorët do të jenë të drejtuar nga Mauro Icardi, që i ka shënuar plot 10 herë në karrierë ekipit toskan. Sulmuesi argjentinas duhet të fshijë një rekord negativ, atë të zero golave të shënuar në 5 javët e para të Serisë A.

Statistikat në këtë fillim sezoni favorizojnë Fiorentinën, që ka 3 pikë më shumë se Interi (10 me 7) dhe një sulm më efikas (11 gola përkundrejt 6) si dhe një mbrojtje më të blinduar (3 gola ka pësuar Fiorentina, 4 Interi). Interit i jepet mundësia për t’u ringritur përfundimisht pas dy sukseseve “in extremis” me Tottenhamin në Champions dhe me Sampdorian.

Nga Bundesliga, vijnë dy takime, i pari në orën 18:30, mes Werder Bremenit dhe Herthës së Berlinit, ku protagonist në fushë pritet të jetë për vendasit futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, ndërsa në orën 20:00 do të zhvillohet derbi i Bavarisë mes Bayernit dhe Augsburgut.

Kampionët e Bundesligës mbeten favoritë absolutë, pasi vijnë pas një ecurie prej 4 fitoresh radhazi, ndërsa Augsburgu ka patur rënie në tre takimet e fundit, ku ka marrë një barazim dhe dy humbje radhazi.

Nga La Liga, në orën 22:00, fillon Atletico Madrid – Huesca, e vlefshme për javën e 6-të. Një provë e lehtë në letër për “Los Colchoneros”, që pas një starti me luhatje duket se po gjen vazhdimësinë e rezultateve në kampionatin spanjoll, ku gjithsesi, Barcelona dhe Reali i Madridit po zhvillojnë një kampionat më vete.