Liderët vizitojnë Bashkësinë Islame, urojnë për festën e Fitër Bajramit (Foto)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe liderë të tjerë të institucioneve dhe partive politike, vizituan të hënën selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u pritën nga Myftiu Naim Tërnava dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bashkësie, të cilët uruan për festën e Fitër Bajramit.

Lajme

28/07/2014 12:25

“Sot të gjithë qytetarët e Kosovës janë së bashku me familjet e tyre për të kremtuar festën e Bajramit, festa më e rëndësishme e besimit mysliman, e cila simbolizon paqen dhe mirëkuptimin”, tha presidentja në një deklaratë për media.

“Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë ju uroj festën e Bajramit, që këtë festë ta shënojnë në paqe, mirëkuptim, dashuri, solidaritet dhe në mirëqenie.

“Kosova, shteti ynë është dëshmuar që është një vend i paqes dhe i harmonisë fetare dhe kjo liri fetare është pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut. Prandaj, edhe njëherë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë, ju uroj festën e Bajramit, që ta kalojnë në solidaritet, mirëkuptim dhe në dashuri me njëri tjetrin. Me fat dhe për shumë mote!”, tha presidentja.

Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani, me rastin e Festës së Fitër Bajramit ka vizituar  Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka përcjellë urimet më të mira për të gjithë qytetarët e besimit islam, duke uruar për tolerancë fetare, qytetare dhe politike.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshiroj që edhe njëherë të gjithë besimtarëve, t’ju uroj në këtë ditë të shenjtë të Fitër Bajramit, në këtë ditë të respektit të ndërsjellë, të tolerancës, të mirëkuptimit, të dashurisë, të paqes. Uroj që të ketë çdoherë tolerancë të tillë fetare, qytetare, politike në Kosovë”.

“Uroj që në këtë ditë të shenjtë të kujtojmë dëshmorët e kombit, të kujtojmë heronjtë, të kujtojmë sakrificën tonë dhe natyrisht të gjithë kështu të bashkuar të marrim energji për të ardhmen, për ndërtimin e shtetit tonë edhe më të fuqishëm”, tha kryeministri Thaçi, pas vizitës që bëri në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Fitër Bajramit.