Liderët te presidentja, nuk shkon Haradinaj

Sapo ka filluar takimi i liderëve partiakë me presidenten Atifete Jahjaga, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për shpërbërjen e Kuvendit. Sipas burimeve të lajmi.net, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka shkuar në Presidencë, ndërkohë që disa parti nga radhët e minoriteteve i kanë premtuar votën kryeministrit për shpërbërjen e Kuvendit.

Lajme

07/05/2014 11:39

55 deputetë i kanë kërkuar Kryesisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës – shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.  Për shpërndarjen e Kuvendit, duhen 80 vota të deputetëve.

Vetëvendosja është shprehur kundër, AAK-ja akoma nuk ka marrë qëndrim, kështu që nëse nuk arrihet të mblidhen 80 vota, përpjekja për të shpërbërë Kuvendin sot do të dështojë.  

“Kjo është edhe arsyeja pse liderët partiakë janë mbledhur në Presidencë, ku deri tani për arsye të panjohura, nuk është paraqitur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj”, ka thënë burimi i lajmi.net.

Sipas Kushtetutës, në raste të shpërbërjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.