Liderët politikë, në takime me qytetarë apo me votues?!

Liderët politik në vend kanë nisur të takojnë gjithandej antarësinë e vet. Dikush flet për ekonomi të vendit, të tjerët për Presidentin ardhshëm, e ndonjë tjetër për zgjedhjet. Por fakti është se të gjithë kanë dalë në teren dhe po takohen me antarësinë e partive të tyre, në kohën kur zyrtarisht është vetëm gjysma e mandatit të qeverisjes aktuale nga koalicioni PDK-LDK.

Lajme

10/02/2016 22:00

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në cilësinë edhe të Kryeministrit,  gjatë këtyre ditëve vizitoi Prizrenin dhe në Qeveri priti drejtues sindikatash  të ndryshme.

Këto takime po shihen edhe si tentim për të qetësuar këto grupe në kohën kur opozita po thirr protesta të shpeshta pikërisht kundër qeverisë.

Por pretendimet se kryeministrit thirri sindikalist e përfaqësues veteranësh për qëllime politike po mohohet në kabinetin e Mustafës nga Sokol Havolli, shefi i këtij kabineti.

Nga ana e  tij kryetari i  KMDLNJ, Behxhet Shala, thotë se pushtetarët e kanë nën kontroll të ashtuquajturën paqe sociale, kur nuk kërcënohen nga protestat sindikaliste.

Ndërkohë, takimet në qytete të ndryshme të vendit po realizon edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaci, njëkohësishte dhe zv.kryeministër i vendit, raporton lajmi.net.

 

Thaci e Veseli ne Gjilan

Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së e Kadri Veseli, zv.kryetar i PDK-së, sot në takim me antarësinë e partisë në Gjilan

Ai sot ishte në Gjilan, kurse nesër pritet të qëndrojë në Skenderaj e Drenas. Thaçi pritet të takojë anëtarësinë e degëve më të forta të partisë së tij me bazë në rajonin e Drenicës.

Ndërkohë, Thaçi vetëm dy ditë më parë, bashkë me Kadri Veselin, zëvëndëskryetarin e partisë, qëndruan në Pejë e Gjakovë.

Në të gjitha kato takime, Thaçi  po flet për të ardhmen e tij si President i vendit. Kjo pasi bazuar në marrëveshjen e koalicionit PDK-LDK, Thaçi është kandidat për President.

Por analisti Naim Rashiti, deklaron se  relacionet politike kanë devijuar nga dita në ditë dhe se tavolina institucionale është larg.

“Duke pasur parasysh zhvillimet disa mujore, duke pas parasysh atmosferën dhe zhvillimet pas 2014 nuk ka ndryshime radikale, nuk ka surpriza të momentit”, tha Rashiti në klan Kosova, transmeton lajmi.net.

“Liderët e kane gojën për vendime institucionale por largohen prej institucioneve dhe ka më pak vendime institucionale”.

 

 

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj,kryetar i AAK-së, sot në takim me kryesinë e partisë, deklaroi se me 7 mars do të shpallet data e zgjedhjeve pasi do të dështojë zgjedhja e Presidentit të ri

Në anën tjetër edhe Ramush Haradinaj, mblodhi sot anëtarët e kryesisë së partisë, të cilëve u tha të punojnë më shumë me antarësinë ngase zgjedhjet e parakohshme janë afër.

Madje ai shkoi aq larg sa u shpreh të jetë i bindur se më së largu deri me 6 mars, Presidenti i ri duhet të zgjidhet.

E sipas tij, meqë Thaçi nuk do të mund të zgjidhet President, atëherë të nesërmen me 7 mars, duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe të cilat duhet të mbahen Brenda 45 ditësh.

Por analisti Rashiti deklaron se qasja e opozitës për mbajtje protestash dhe ndërrim pushteti me revolucion, nuk do të ndodhë.

“Kjo qasje e opozitës është zero ose asgjë, 100 apo asgjë nuk do të ketë sukses, nuk ndodh revolucion, nuk ndodh rrënim i pushtetit, ka ndodh në vende ku ka pushtete autokratik por jo këtu”, deklaroi  Rashiti.

Për më tepër, analisti Rashiti tha se Lëvizja vetëvendosje e cila ëhstë partia më e madhe opozitare në vend, i ka dyert e mbyllura në perëndim./lajmi.net