Liderët evropianë synojnë mbrojtjen e kompanive nga sanksionet e SHBA-së në Iran

Liderët e Bashkimit Evropian pritet që në Samitin e Sofjes më 16 maj të diskutojnë për masat që mund të marrë blloku për të mbrojtur kompanitë evropiane nga sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara në Iran.

Bota

16/05/2018 10:21

Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini ka thënë se komisionerët evropianë do të diskutojnë nëse mund të përdoren masat e vitit 1990 për bllokimin e sanksioneve, në mënyrë që të mbrohen interesat e bizneseve evropiane në Iran.

“Ne jemi duke punuar për gjetjen e zgjidhjes praktike”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Bruksel.

“Jemi duke diskutuar mënyra si mund ta mbajmë marrëveshjen të gjallë” tani që Shtetet e Bashkuara janë larguar nga pakti bërthamor i vitit 2015 që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

“Nuk mund të flas për garancë ekonomike apo ligjore, mirëpo mund të them se ka seriozitet dhe vendosshmëri nga ana evropiane”, ka thënë Mogherini.

Zyra amerikane e Thesarit ka paralajmëruar bizneset evropiane se kanë 90 ditë për të ndaluar të bërit biznes me Iranin para nisjes së zbatimit të sanksioneve amerikane, derisa edhe liderët amerikanë u kanë thënë kompanive evropiane t’iu kushtojnë vëmendje sanksioneve.