Liderët e Luginës themelojnë të shtunën asociacion të njëjtë si serbët në Kosovë

Udhëheqësit shqiptarë të Luginës së Preshevës tashmë kanë vendosur që të shtunën në një mbledhje të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare, i cili do të jetë identik me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që do të krijohet në Kosovë.

Lajme

10/09/2015 17:21

Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha në një bisedë për KosovaPress-in se Asociacionin do ta themelojnë për t’i realizuar të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ashtu siç po krijohet ai në Kosovë për t’i realizuar të drejtat e serbëve në territorin e Kosovës.

Mustafa theksoi se kjo iniciativë vjen duke u nisur prej parimeve, principeve dhe standardeve të njëjta të pakicave kudo që ndodhen në regjion jashtë shtetit të tyre amë.

Kreu i Preshevës ka theksuar se do të bazohen edhe në rezolutën e Kuvendit të Kosovës që është miratuar në mars të vitit 2013 ku në mënyrë decide angazhohet dhe obligohet Qeveria e Kosovës për t’u angazhuar në Bruksel për shkallën e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë ashtu si edhe të serbeve në Kosovë. Po ashtu, Mustafa tha se janë bazuar edhe në deklaratat e kryeministri Edi Rama, se Serbia duhet të realizojë të drejta me të mëdha për shqiptarët në Luginë.

Megjithatë, Asociacioni i Komunave me shumicë shqiptare në Luginë do t’i ketë kompetencat dhe të drejtat ashtu siç do t’i ketë edhe Asociacioni i Komunave Serbe në territorin e Kosovës, si në arsim, kulturë, drejtësi, siguri e tjera.

“Asociacioni do të jetë plotësisht i njëjtë dhe identik me Asociacionin e Komunave Serbe në territorin e Kosovës… Po, sigurisht sepse këto janë që i mungojnë Luginës dhe me të drejtë kërkojmë zbatimin e standardeve të njëjta për pakicat që jetojnë jashtë shtetit të tyre…kur u përmend se plotësisht i njëjtë me statutin e asociacionin e komunave serbe atëherë për të gjitha fushat do të angazhohemi dhe do të përpiqemi të gjejmë përkrahjen e Tiranës dhe Prishtinës dhe faktorit ndërkombëtar”, tha ai.

Mustafa beson se shumë shpejt së pari për këtë veprim lidhur me themelimin e Asociacionit në Luginë do të gjejnë mbështetjen e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, ndërsa me vonë do të kërkojnë edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare./KosovaPress/