Liburn Aliu: Autostrada është ndërtim pa leje!

Pa zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar me vite nga qeverisja e kaluar nuk mund të ketë as urbanizëm, ka deklaruar të mërkurën në një konferencë për gazetarë drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu.

Lajme

11/02/2015 19:41

Ai tha se për të vendosur rregull dhe rend është e domosdoshme që të kenë dokumente të shkruara, pasi në të kundërtën, nëse rregulli bëhet nga fjalët dhe përshtypjet subjektive që mund të ketë ndonjë zyrtar apo drejtor, atëherë kjo gjithmonë do të përfundojë me pasoja për qytetarin dhe qytetin në përgjithësi.

“Mund të themi që gjashtë mujori i fundit i vitit 2014 fokus kryesor i Drejtorisë së Urbanizmit ka qenë prodhimi i dokumenteve të shkruara, hulumtimi i mënyrave të zgjidhjeve të problemeve të cilat kemi pas rast të ballafaqohemi gjatë vitit që shkoi, dhe që të mund të gjejmë zgjidhje, nga njëra anë, kemi nevojë që të studiojmë, të hulumtojmë edhe eksperiencat e të tjerëve, të bëjmë analiza konkrete që i kemi para vetes, t’i diskutojmë ato me ekspertë por edhe me qytetarë, por në fund të arrijmë deri në zgjedhje konkrete”, tha Aliu.

Ai më tej shtoi se do ta kenë edhe një rregullore me të cilën synohet të përcaktohen  problemet  në komunën e Prishtinës dhe zonat tjera.

“Problemet që i kemi në Prishtinën e re dhe kudo nëpër zona të tjera janë probleme serioze për shkak që kemi parcializime të mëdha tokash kur rruga në mes është vetëm tre metra. Kemi raste dhe të tëra të parcelave dhe shtëpi të ndërtuara me një rrugë të vetme pa trotuare, pa kurrgjë hiç tri metra, e të cilën ndarje e ka lejuar Komuna. Këtë duhet përfundimisht ta ndalojmë”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, për të ndryshuar gjërat në këtë drejtim duhet fillimisht të bëjnë një planifikim të mirëfilltë për ta ditur gjendjen reale në terren, e kjo duhet të ndodhë para se të vendoset për hartën zonale. Ai përmendi edhe procesin e legalizimit, i cili do të fillojë nga shtatori, ku për shumë objekte që kanë pas tejkalime është e domosdoshme të aplikohet për legalizim, tha ai.

Aliu më tej tha se deri më tani janë marrë edhe masa disiplinore, ku disa zyrtarë janë shkarkuar ndërsa disa të tjerë kanë dhënë dorëheqje. Ai madje tha se ka pasur rast kur zyrtari ka dhënë dorëheqje pa e ditur ai arsyen, e ka edhe zyrtar të tjerë të cilët kanë dhënë dorëheqje para se të dërgohet në komision disiplinor lënda përkatëse, u shpreh ai. Ai tha se arkitektët që më nuk janë në punë janë Nazmie Tora, Daut Retkoceri, Florie Mazreku, Hasnie Beqiraj, ndërsa Besa Orana ka dhënë dorëheqje.

Më tej Aliu ka thënë se edhe autostrada është ndërtim pa leje pasi që është ndërtuar në kundërshtim me planin zhvillimor komunal. Sipas tij, Qeveria me rastin e dy autostradave ka bërë ndërtime pa leje. (Kosovapress)