Libri i rregullave

Respektimi i këtij shteti, i Kushtetutës së Kosovë, i Ligjeve të këtij vendi është e vetmja logjikë që mund të mbajë këtë shtet, këtë vend, këtë shoqëri.

Opinion

30/12/2015 12:17

A nuk je i shqetësuar?

A do të ndihmojë kjo punë (poqëse jam i shqetësuar)?

Ky dialog fare i shkurtër, përsëritet disa herë, midis dy protagonistëve të filmit ‘Bridge of Spies’  (‘Ura e spiunëve’), të Steven Spielberg-ut.

Avokati amerikan ia bën këtë pyetje një spiuni rus i cili është zënë në New York, duke punuar për Bashkimin Sovjetik, në kulminacionin e ‘Luftës së Ftohtë’.

Ky i fundit, Rudolf Abel, e habitë avokatin amerikan, James Donovan  (të cilin e luan shkëlqyeshëm Tom Hanks), me faktin që ka pranuar fatin e vet në mënyrën më gjakftohtë të mundshme, megjithëse ai kërcënohet, për shkak të veprës së tij, edhe me dënimin me vdekje.

Mungon pra, në këtë rast, një lidhje fare e natyrshme, shumë e logjikshme, e domosdoshme madje, midis një të keqe që të godet, dhe shqetësimit për fatin tënd.

Dialogu aq i shkurtër i këtij filmi, është tepër aktual  (fatkeqësisht), në kohën e ndërrimit të kalendarit vjetor në Kosovë.

Cili është pra raporti midis gjendjes së sotme politike në vend, dhe shqetësimit për te, për këtë gjendje?

Qytetari i rëndomtë i këtij vendi, është i detyruar të brengoset së pari për familjen e tij. Duhet gjetur punë, duhet shkolluar fëmijët, duhet mbajtë shëndetin. Ai mund të thotë në vete apo edhe para familjarëve të vet, që pamjet e Kuvendit të Kosovës, aq të shpeshta gjatë vjeshtës së vitit 2015, na bënë përrallë në sytë e Botës, por ai llogaritë, në fund të fundit, që vetë politikanët janë ata të cilët kanë për detyrë, e kanë mandat, e kanë edhe profesion, të shqetësohen për gjendjen ku ka mbërri politika kosovare.

Dipomati i karierës i shteteve më të mëdha perëndimore në Prishtinë, shërben në një shtet të ri, i cili megjithatë, tani do të duhej të ishte më i qëndrueshëm, më i rregulluar, më stabil, se sa që ishte tetë vjet më parë, kur u lind. Ky diplomat mund të zihet në vete, mund të mërzitet me përvojën e tij të fundit, në këtë Kosovën tonë, por megjithatë, ai e ka shqetësimin fare të kufizuar, sepse, tek e mbrama, ai nuk është përgjegjës dhe hisenik të gjithë këtë pështjellim politik të Kosovës. Ai mund të apelojë për maturi dhe për dialog, mund të shpjegojë fare qartë pozicionin e shtetit të tij karshi skenave çrregulluese parlamentare në vend, por ai nuk ka çka të bëjë më shumë.

Biznismeni mesatar i këtij vendi, natyrisht që i ndjen fare mirë pasojat e një situate të këtillë, kur politika në vend se të ofrojë garanci për investime nga jashtë, vjen e bëhet burim i telasheve të cilat vetëm sa mund t’i dëbojnë edhe ata biznismenë të paktë ndërkombëtarë, madje, edhe vendorë, të cilët nuk kanë çka t’i bëjnë parasë dhe ideve të tyre për zhvillimin e ekonomisë, të cilat janë në shpërputhje të plotë me tabllot e Kuvendit të Kosovës.

Ata pra që do të duhej të shqetësoheshin për gjendjen politike në Kosovë, janë ata që janë të thirrur ta bëjnë politikën si duhet, në një vend demokratik.

Në filmin tashmë të përmendur, është një tjetër dialog shumë domethënës, kësaj radhe midis avokatit Donovan dhe Agjentit të CIA-s, Hoffman. Ky i fundit ia merr për të madhe avokatit që mirret me mbrojtjen e një spiuni rus. Madje, kërkon prej avokatit informata për sjelljen e këtij spiuni. Donovan, një irlandez me rrënjë, ia shpegon Hoffman-it, një gjermani me origjinë, çka i bën ata të dytë amerikanë, çka e bën, në realitet, Amerikën, të jetë kjo që është.

Vetëm një gjë na bën të tillë, i thotë Donovan bashkëbiseduesit të tij. Libri i rregullave, Kushtetuta, respektimi i saj. Të gjitha gjërat e tjera nuk çojnë peshë.

Shqetësimi i përbashkët i të gjithë neve, në këtë Kosovën tonë, do të duhej të na shpiente te i njejti konkludim pra. Respektimi i këtij shteti, i Kushtetutës së Kosovë, i Ligjeve të këtij vendi  (derisa të mos ndrysohen), është e vetmja logjikë që mund të mbajë këtë shtet, këtë vend, këtë shoqëri. Të mos e pranosh këtë logjikë, apo, ta kundërshtosh atë, ta kontestosh shtetit, kushetutën, ligjin, ka po të njejtën domethënie si të mohosh që tani jemi në stinën e dimrit, që ne të gjithë i nënshtrohemi ligjeve të natyrës, dhe që herët a vonë, do të vdesim, si individ.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)