“Liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2019”

Liberalizimi i vizave për Kosovën rrezikon të mos ndodhë deri në pjesën e dytë të vitit 2019, megjithëse pritjet janë që vendimi të merret brenda këtij viti.

Lajme

08/11/2018 19:44

Njohësit e integrimeve evropiane nuk e përjashtojnë mundësinë që heqja e regjimit të vizave për kosovarët të mos ndodhë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, respektivisht deri në fund të vitit 2019.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar zyrtarët e institucioneve të vendit se liberalizimi i vizave me Kosovën kërkon kohë, pasi të gjitha shtetet anëtare duhet të marrin vendimin për këtë çështje në mënyrë individuale, raporton lajmi.net.

Ndërkohë, Taulant Kryezi njohësi i integrimeve evropiane, njëherësh Drejtor i Bordit të Institutit EPIK, ka thënë për lajmi.net se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës nuk mund behët këtë vit, përkundër asaj qe qytetaret e këtij vendi e meritojnë një gjë te tille.

Sipas tij, skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundoj këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019, për të cilën ka thënë se bazuar në zhvillimet e fundit edhe ky skenar pozitiv është duke u vendosur në dyshim

“Siç kemi komunikuar si Instituti EPIK, kanë mbetur edhe 6 hapat deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Pjesa kritike e këtyre hapave është votimi i plotësim ndryshimit të Rregullores 539/2001 nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Po ashtu, siç kam argumentuar që një kohe te gjate, lëvizja e lirë për qytetarët tanë fatkeqësisht nuk mund behët këtë vit, përkundër asaj qe qytetaret e këtij vendi e meritojnë një gjë te tille”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ende s’ka asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë.

“Këtë çfarë Instituti EPIK ka thënë që një kohë, u konfirmuar kohëve të fundit në deklaratat publike nga z. Peter Beyer, deputet i Parlamentit Gjerman nga CDU, Kancelarja Merkel, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës dhe së fundi Kancelari Kurz. Skepticizmi i shfaqur nga institucionet e BE-së dhe vendet anëtare bazohet edhe tek mungesa e rezultateve të sistemit te drejtësisë në kuadër luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë. Mos te harrojmë qe edhe ne raportin final vlerësues të Komisionit Evropian të korrikut 2018 është nënvizuar rëndësia për të vazhduar me progresin në kuadër të gjitha 95 kritereve, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se Komisioni do te monitoroj në vazhdimësi këtë proces”, ka thënë tutje Kryeziu.

Kryeziu po ashtu ka njoftuar se procesi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2019 për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Ai ka kërkuar progres në fushën e sundimit të ligjit, nga institucionet e Kosovës, në mënyre që kjo të jetë levë e presionit pozitiv që Kosova mund ti bëjë vendeve anëtare.

“Tani, ne si Instituti EPIK presim që procesi i vizave të shtyhet për vitin 2019 me shumë të panjohura. Për shkak te zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, fillimin e Presidencës Rumune prej janarit 2019, si dhe bisedimeve për BREXIT. Ajo qe institucionet e  Kosovës duhet bere është progresi konkret në fushën e sundimit të ligjit. Vetëm qasje e tillë serioze mund të jetë levë e presionit pozitiv që Kosova mund ti bëjë vendeve anëtare ku dëshmohet qe kemi arrit te jemi storie e suksesit dhe meritojmë të trajtohemi si partnerë i vërtet Evropian”, ka thënë Kryeziu për lajmi.net.

Sipas tij, tendencat e udhëheqësve institucional për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së janë të papranueshme.

Derisa shton se përgjegjësia për mos liberalizimin e vizave gjate vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës, për të cilin thotë se ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale.

“Instituti EPIK është duke i përcjellë me shqetësim deklaratat e udhëheqësve institucional të cilët janë duke përdorë një gjuhë fajësuese ndaj BE-së në rast mos-liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. EPIK rikujton se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së apo vendi anëtare, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore të sakta për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucional të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore se viti 2018 do të jetë vit i lëvizjes së lirë. Prandaj, janë për tu shqetësuar  tendencat e udhëheqësve institucional për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së. Instituti EPIK e konsideron të  papranueshme çfarëdo gjuhe fajësuese ndaj partnerëve strategjik ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu. /Lajmi.net/