LGBTirana

Shtypja ndaj homoseksualëve është më e dukshme dhe më e dhunshme, kurse shtypja ndaj lesbikeve është më e padukshme. Prandaj unë dua ta bëj të dukshme këtë shtypje në një hapësirë publike. Në Tiranë nuk kam gjetur një lesbike që të jetë mbi 35 vjeçe.

Lifestyle

14/09/2013 18:45

Atyre nuk u ka ndodhur më parë të rrëfehen… Ndjesitë e tyre të dashurisë, ankthin e një takimi të paduruar, apo përpëlitjet e një dashurie të ikur – kanë lindur e vdekur brenda tyre, pa ia thënë njeriu… Letra dashurie kanë shkruar e grisur fshehurazi, dhe në publik nuk kanë mundur kurrë t’i prekin dorën të dashurës së tyre…

Me Sofia Hultin ato kanë treguar gjithçka, sesi në këtë qytet të madh si Tirana ato janë fare të padukshme me jetët e tyre. Kjo gjë është e trishtë dhe e dhimbshme shpeshherë, por ato vazhdojnë të kenë guxim për të vazhduar, të sigurt se kohët do të ndryshojnë dhe për këtë komunitet dhe pse me ngadalë.

Hultin, artiste e njohur nga Suedia, ka zhvilluar konceptin e një “shëtitjeje lesbike”, për të shprehur gjeografikisht praninë e komunitetit lesbik në Tiranë, duke mbledhur dhe paraqitur histori publike dhe personale që pasqyrojnë sesi lëvizja politike dhe shoqërore ndikon në përvojën individuale. Për javë të tëra ajo ka takuar këtë komunitet në Tiranë, duke dëgjuar përvoja të ndryshme personale, për t’i rrëfyer më pas në veten e parë, pasi ashtu siç shprehet dhe Sofia: “Unë jam si çdo lezbike”. Ky është dhe titulli që Sofia ka gjetur për t’i prezantuar këto përvoja të trishta në këtë kryeqytet të Ballkanit.

Puna artistike e Sofisë do të prezantohet më 16 shtator, në Galerinë FAB, bashkë me filmin e shkurtër “Eja brenda meje”, të artistit Ergys Meta. Filmi i Metës tregon historinë e një çifti gej, dashuria e të cilëve është shkatërruar dhe më pas vijon në hakmarrje.

Dy artistët kanë qenë pjesë e rezidencës artistike “Aleanca Unstraight” dhe kanë zgjedhur të punojnë me komunitetin për të treguar në mënyrë artistikisht akute, gjendjen aktuale politike dhe shoqërore të komunitetit LGBT në Shqipëri. Për katër javë artistët kanë qenë të ftuar që të angazhohen me komunitetin për të prodhuar punë në Tiranë. Punë të cilat synojnë një publik kombëtar dhe ndërkombëtar dhe i shtyjnë të rimendojnë rreth çështjeve bashkëkohore të diskriminimit, përjashtimit, gjinisë dhe seksualitetit. Kuratorë të ekspozitës janë Maja-Lena Molin dhe Vincent W.J. van Gerven Oei.

Sofia Hultin, në një intervistë për gazetën Shqip, ka sjellë një rrëfim mbi këtë përvojë.

 

“Unë jam si çdo lesbike”. Mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij titulli me të cilën do t’i prezantoni punët e juaja në këtë ekspozitë?

Hultin: Përmes titullit kam zgjedhur të jap dhe mesazhin e kësaj ekspozite, e cila flet për një grup të margjinalizuar, të shtypur e të veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Përmes një shëtitjeje që unë bëj në Tiranën e sotme, unë tregoj një histori personale të një lesbikeje, duke folur në vetën e parë, por përmes kësaj historie unë jap dhjetëra histori të tjera të mbledhura nga përvoja që pata gjatë intervistimit të dhjetëra femrave lesbike në Tiranë gjatë këtij projekti. Prandaj dhe titulli që kam zgjedhur është një lloj solidariteti që unë u jap këtyre femrave, duke treguar se unë jam njëra prej tyre.

Një tjetër arsye përse unë prezantoj këto punë është diskriminimi që ka kjo pjesë e shoqërisë në Shqipëri. Shëtitja ime nëpër Tiranë është për të treguar se shtypja ndaj lesbikeve, apo homoseksualëve, apo trans-seksualëve, kanë forma të ndryshme. Format e shtypjes nuk janë gjithnjë të njëjta. Shtypja ndaj homoseksualëve është më e dukshme, më e dhunshme për shembull, shtypja ndaj lesbikeve është më e padukshme. Prandaj unë dua ta bëj të dukshme këtë shtypje në një hapësirë publike… Dua që njerëzit t’i dëgjojnë këto histori, për të kuptuar se ato nuk janë ndryshe prej tyre…

Dhe diçka interesante. Nuk kam gjetur në Tiranë një lesbike që të jetë mbi 35 vjeçe.

 

Cila është mosha e tyre?

Hultin: Femrat që unë kam intervistuar janë nga 17-33 vjeç. Ekzistenca e këtij komuniteti në Tiranë këto dhjetë vjet është pothuajse e padukshme. Unë mendoj se historia e lesbikeve në këtë qytet duhet të trajtohet njësoj e rëndësishme si çdo histori e një kategorie tjetër njerëzish të këtij qyteti.

 

Nga tregimet që ju kanë dhënë në intervista, cila është jeta e tyre në këtë qytet?

Hultin: Problemi i tyre mund të ndahet në dy çështje. Ato jetojnë në një shoqëri homofobike dhe në një shoqëri mashkullore, gratë janë mësuar të jenë të padukshme dhe të marrin sa më pak hapësirë që të jetë e mundur.

Një pjesë e tyre nuk mund ta përballojnë presionin e familjes dhe martohen. Kam dëgjuar shumë histori të grave që kanë pasur një jetë lesbikeje dhe lidhje dashurie dhe janë detyruar të ndahen nga partneret e tyre dhe të martohen me një burrë, pas presionit të familjes. Por ka dhe disa prej tyre që jetojnë në një familje me mendje të hapur, e cila mund të pranojë jetët e tyre dhe po të tilla pranohen në vendin e punës, ku punojnë. Por këto janë raste pothuajse të veçuara. Pjesa më e madhe e këtij komuniteti të lesbikeve kanë vështirësi. Një pjesë e tyre ka shkëputur marrëdhëniet me familjet, apo nuk shkojnë mirë me to, pasi kanë treguar seksualitetin e tyre. Lesbiket që janë në shkollë e kanë më të vështirë. Duke i dëgjuar ato, teksa tregojnë se çfarë mësuesit e tyre mendojnë për LGBT-në është e vështirë të mendosh se nëse ato tregojnë seksualitetin e tyre do të pranohen. Shumë nga mësueset janë homofobike dhe kjo i bën dhe studentët të jenë homofobikë. Është krijuar një frymë e keqe ndaj këtij komuniteti.

 

Mund të na tregoni një histori që ju ka bërë përshtypje në Tiranë?

Hultin: Nuk do doja të veçoja ndonjë histori, pasi të gjitha janë prekëse dhe tregojnë realitetin që është në Tiranë. Por kush do të dëgjojë historitë  të vijë dhe t’i shohë në ekspozitë. Por mund t’ju them se historitë rreth homofobisë janë shumë të trishta. Disa histori tregojnë se sa të vështirë e kanë disa familje të pranojnë faktin që vajza e tyre është lesbike. Kjo është një situatë shumë e trishtë… Po në shëtitjen që unë bëj nëpër Tiranë ka dhe grimca historish të bukura, të cilat flasin për dashuri, sukses, miqësi…Kur jeton si lesbike në një ambient homofobik, ndihesh me fat nëse takon njerëz të tillë, të cilët mund të ndryshojnë jetën tënde… Dhe gjithçka ato duan, është të jenë të lira të duan. Është kaq e thjeshtë dhe kaq e vështirë këtu…

 

Beson Sofia në dashuri?

Hultin: Sigurisht që besoj. Unë e kam gjetur dashurinë.

 

Këtu në Shqipëri?

Hultin: Jo. E dashura ime jeton në Suedi dhe unë e dua aq shumë. Por kam gjetur miqësi të vyera në Shqipëri.

 

Si e shihni të ardhmen e këtij komuniteti në Shqipëri?

Hultin: Jam shumë optimiste rreth të ardhmes së lesbikeve në Shqipëri. Problemi është se njerëzit duhet të mësojnë se lesbiket, transeksualët, nuk janë ndryshe nga njerëzit e tjerë. Nëse njerëzit do ta kuptojnë këtë do të jetë shumë më e lehtë. Jam e sigurt se kjo do të ndodhë. Dua të them se lëvizja LGBT këtu në Shqipëri po bën një punë të mirë dhe jam e lumtur që me punën mund të kontribuojë t’i mbështesë ato sado pak.

 A.M.

Skena nga filmi i shkurtër “Eja brenda meje”, i artistit Ergys Meta. Filmi tregon historinë e një çifti gej, dashuria e të cilëve është shkatërruar dhe më pas vijon në hakmarrje.