Lëvizja Socialdemokrate me kryetar Shpend Ahmetin?

Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosjes edhe zyrtarisht tashmë është fakt i kryer.

Lajme

02/03/2018 16:45

Dy krahët e kësaj partie vetëm sa i kanë betonuar pozicionet e tyre kundër njëri tjetrit dhe kjo u dëshmua edhe mbrëmë në debatin televiziv ndërmjet Glauk Konjufcës dhe Dardan Molliqajt.

Se kur do të zyrtarizohet edhe publikisht ndarja kjo mbetet të shihet.

Megjithatë, lajmi.net nga burimet e veta merr vesh se grupi i pakënaqur me metodat dhe funksionimin e Albin Kurtit si lider i Vetëvendosjes, tashmë ka vendosur edhe për emrin e partisë së re.

Partia e re do të quhet Lëvizja Socialdemokrate e Kosovës dhe do ta ketë akronimin LSD ose LSDK.

“Partia e re që do të dalë nga ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje pritet t’i ketë 13 deputetë në Kuvendin e Kosovës, duke e lënë VV-në me vetëm 19 deputetë”, thonë burime të lajmi.net brenda grupit iniciues të partisë së re.

Po ashtu, kryetar i Lëvizjes së re, Lëvizjes Socialdemokrate është caktuar të jetë Shpend Ahmeti, aktualisht kryetar i Prishtinës dhe njëri nga personat që nuk është përcaktuar ende publikisht se cilit krah i përket.

Mirëpo, është e qartë se Ahmeti është pjesë e grupit ku bëjnë pjesë Dardan Molliqaj, Visar Ymeri (djali i tezës së Shpendit), Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Dukagjin Goran, Frashër Krasniqi, Driton Çaushi, etj.

Lajmi.net ka tentuar të flas me Shpend Ahmetin. Ai fillimisht ka dërguar një sms ku kërkon që t’i shkruhet pyetja për të cilën ishte thirrur në telefon, mirëpo më nuk ka kthyer përgjigje.

As deputetë tjerë të grupit ‘rebel’ nuk janë përgjigjur në telefon. /Lajmi.net/