Lëvizja për Bashkim kërkon Qeveri uniteti

Lëvizja për Bashkim ka vlerësuar se pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria, Kosovës i duhet një qeveri e unitetit.

Lajme

27/03/2018 15:37

Kjo parti me anë të një komunikate për media ka thënë se mandati kësaj qeverie duhej të ishte I kufizuar deri sa të përfundojë disa nga çështjet kryesore si ai i formimit të ushtrisë dhe reforma zgjedhore.

“Lëvizja për Bashkim i bën thirrje presidentit të vendit të thërras partitë politike dhe në bashkëpunim me to të shkohet drejt krijimi të një qeverie të unitetit, e cila nuk do të ishte peng i Listës Serbe. Mandati i kësaj qeverie do të ishte i kufizuar, por do të duhej që të çonte përpara disa prej problemeve kryesore që e mundojnë vendin siç janë bisedimet me Serbinë, krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe një reformë zgjedhore”, thuhet në komunikatën e kësaj partie

LB ka thënë se detyrë mbi detyrat e kësaj qeverie do të ishte të ndërronte kornizën politike të bisedimeve të deritanishme me Serbinë.

“Kjo qeveri do të duhej të ndërtonte një platformë të bisedimeve, e cila për bazë do të kishte parimin e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të këtij parimi do të duhej që të gjendeshin të njëjtat zgjidhje për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Lista Serbe sot ka njoftuar se është larguar nga koalicioni qeverisë. Ky veprim i tyre ka ardhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar dhe deportuar për në Serbi, Marko Gjuriqin, i cili kishte hyrë në Kosovë pa leje të institucioneve të Kosovës./Lajmi.net/