Letrat me vlerë në vlerë prej 405 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës(BQK0, ka njoftuar se sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Financave në vitin 2017, numri i ankandeve për emetimin e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës ishte 19 sosh, përderisa vlera e shpallur në ankande ishte 405.0 milionë euro.

Lajme

13/07/2018 09:41

“Gjatë vitit 2017, Qeveria e Kosovës ka shpallur numër dhe vlerë më të vogël të bonove të thesarit krahasuar me vitin paraprak. Përderisa numri i fletë-obligacioneve ishte më i lartë krahasuar me vitin paraprak e poashtu edhe vlera e tyre ishte më e lartë. Sa i përket shumës së pranuar, ajo mbeti e njëjtë me vlerën e shpallur si për bono të thesarit, ashtu edhe për fletë-obligacione”, thuhet në raportin e BQk-së.

Sipas afatit të maturimit, struktura e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës vazhdon të tregon tendencë të zhvendosjes nga letrat me vlerë me maturitet afatshkurtër në letra me vlerë me maturitet afatgjatë.

Kategoria kryesore në strukturën e letrave me vlerë vazhdon të mbetet ajo e bonove të thesarit me afat maturimi 364 ditë me një pjesëmarrje prej 33.3 përqind në gjithsej shumën e emetuar, pasuar nga fletëobligacionet me afat maturimi dy vite që kishin një pjesëmarrje prej 23.5 përqind. Vlen të theksohet se në vitin 2017 janë emetuar për herë të parë fletëobligacione me afat maturimi prej 7 vitesh, që kishin një pjesëmarrje prej 4.9 përqind në gjithsej shumën e emetuar, raporton RTKlive.

“Krahasuar me vitin paraprak, në vitin 2017 është vënë re një rritje e emetimit të fletëobligacioneve krahas rënies së emetimit të bonove të thesarit. Përderisa vitin 2016 ishin emetuar 38.1 përqind fletëobligacione dhe 61.9 përqind bono thesari, në vitin 2017 kjo pjesëmarrje qëndroi në raport prej 53.1 përkatësisht 46.9 përqind”, thuhet në raport.