Letra e vitit 2014-të që paralajmëronte Albin Kurtin për atë që po ngjan sot në Vetëvendosje (FOTO)

Letra që Arben Gecaj i kishte dërguar Albin Kurtit në vitin 2014, në të cilën ishin ngritur shqetësime serioze lidhur me udhëheqësit e sekretariateve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe paralajmërimi se një funksionim i tillë do t’i hakmerret Vetëvendosjes, duket se po del e vërtetë pas pothuajse 4 vitesh, kur tashmë VV-ja është ndarë në dysh, dhe 7 anëtarë të rëndësishëm të saj kanë dhënë dorëheqje nga partia.

Lajme

06/01/2018 14:40

Në letrën e siguruar nga Gazeta Blic, shihet shqetësimi i thellë i Gecajt për mënyrën e sjelljes së udhëheqësve të sekretariateve, që sipas tij ishin të caktuar nga Albin Kurti.

“Sekretariatet e LVV janë të vetmet organe në LVV të cilat janë të paprekshme, janë me kontrata pune por edhe me fuqi politike të dyfisht, shumica janë edhe në KP, drejtuesit dhe anëtarët e sekretariateve janë të madhërishëm,janë të mençur, ata bëjnë klasifikime se kush bën e kush nuk bën !!, ata definojnë se kush duhet të shkollohet e kush ka nevojë për leksione politike, ata gjithnjë janë duke vlerësuar të tjerët. Ata vinë në takime me vonesë, janë mospërfillës, shumica janë injorant të vërtetë” shkruhet në letrën që Gecaj i kishte dërguar Kurtit, shkruan Gazeta Blic.

Ndër të tjera në letër shihet qartë që Gecaj kishte marr guximin t’i shkruante Kurtit, pasi askush tjetër nuk guxonte ta bënte një gjë të tillë.

Madje Gecaj e kishte këshilluar Kurtin atë kohë që të bënte ristrukturim të sekretariateve, pasi sipas tij krijimi i një superstrukture nga Albin Kurti  dhe një qasje e tillë e tyre do t’i hakmerrej Lëvizjes.

“Mendimi im është se sekretariatet që udhëhiqen nga ti duhet të shkojnë në ristrukturim, duhet të vijnë njerëz të rinj, nënkuptohet edhe disa nga të vjetrit duhet të mbesin, disa duhet të mbesin vullnetarë, pa të ardhura. Dua vetëm të bëj me dije se ti ke dërguar organizatën në ristrukturim por në ndërkohë ke krijuar një superstrukturë e cila do ti hakmerret Lëvizjes” kishte shkruar Gecaj në letrën e tij dërguar Kurtit.

“Ti mundësh fjalët e mija edhe ti hedhësh, nuk e kam problem, problem do të kisha sikur mos ta thoja atë që duhet thënë” përfundon Letra e Gecajt.

Deri më tani nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje: Dardan Molliqaj, Ylli Hoxha, Aida Dërguti, Visar Ymeri, Shqipe Pantina, Dardan Sejdiu, Zgjim Hyseni dhe Adonis Tahiri.

Arben Gecaj një kohe ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, pas largimit nga ty kishte themeluar Fraksion + së bashku me Ajnishahe Halimin, dhe tashmë është i angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës./GazetaBlic