Letonia vlerëson lartë përparimin e Kosovës në proceset integruese

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkevics, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit pozitive të Kosovës në kontekstin e agjendës evropiane.

Lajme

23/04/2015 13:30

Ministri Çollaku, si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, që ishte pjesëmarrës në takim, kanë falënderuar ministrin letonez për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i tij po i ofron Kosovës, e në veçanti për përkrahjen në procesin integrues.

Sa i përket procesit të integrimit evropian, Çollaku ka potencuar se Kosova ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm dhe se sipas tij tani është në prag të dy momenteve kyçe të cilat do ta çimentojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Procesi i parë ndërlidhet me nënshkrimin e MSA-së që ne presim të ndodh sa më shpejtë dhe dëshira jonë është që një gjë e tillë të ndodh gjatë presidencës së Letonisë në BE. Nënshkrimi i saj do të jetë një moment i veçantë për Kosovën sepse formalisht, Kosova futet në rrugën e saj pa kthim drejt integrimit në BE”, ka thënë Çollaku.

Kurse procesi i dytë, Çollaku ka thënë se është ai i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke e informuar ministrin letonez për punën e madhe që është bërë në drejtim të përmbushjes së kritereve të parapara me udhërrëfyes si dhe për punët që kanë mbetur të realizohen gjatë javëve në vijim përkitazi me këtë proces.

Në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin bilateral mes Kosovës dhe Letonisë, e cila është aktualisht është kryesuese e radhës e Presidencës së Bashkimit Evropian, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur të komentojë moslejimin e vizitës së zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në Beograd nga ana e autoriteteve serbe, shefi i diplomacisë letoneze ka thënë se qëndrime të tilla nuk e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rinkevics ka thënë se është i mahnitur me progresin e bërë drejt zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe me punën e madhe që po bënë Qeveria e Kosovës për të gjitha proceset që ka para vetes.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Letonisë që ta mbështes Kosovën në çfarëdo forme e sidomos në perspektivën ndërkombëtare dhe të BE-së. “Shpresojmë se ky vit do të jetë një vit i rëndësishëm sa i përket nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave”, ka plotësuar ai.

Rinkevics ka thënë se në maj të këtij viti, Kosova do të marr pjesë për herë të parë në grupet punues të BE-së ku marrin pjesë edhe vendet tjera kandidate të BE-së dhe trajtojnë çështje të integrimit evropian. /lajmi.net/