Letër publike deputetit analfabet

Jo bre jo, nuk e kam fjalën për drejtshkrim! Ajo do të ishte kërkesë e paarritshme për ty, "politikan". More, veç të shkruash sa të merresh vesh. A di bre, hmm, dhjetë fjali bre t'i shkruash. Kaq! Por, ti as kaq nuk di! E di!

Opinion

01/08/2016 19:46

Shkruan: Burim Ramadani

Debati është torturë për ty!

Deputet,

Shoqëria kosovare ka ngritur pritjet për rezultat konkret nga debati mbi demarkacionin.
E kam fjalën për këtë organizimin që pritet të mbahet të mërkurën. Në sallën alternative, po më duket. Kjo konferenca parlamentare që po mbahet për herë të parë në Kosovë.

Po, de.
Aty ku pritet të vijnë ekspertët e fushave të ndryshme, shumica prej të cilëve nuk janë nëpër parti politike. Jo, as në partinë tënde. Hiq se hiq aty.
Sepse, partia jote s’ka ekspertë për asnjë fushë!
Sepse, soji yt nuk lë gjë të keqe pa u bërë njerëzve që kanë lexuar më shumë se ti dhe që nuk e shohim politikën si “politika” në sytë e tu.
Sepse, ti nuk ke as kapacitetin e përafërt për të kuptuar ç’është politika si mision.
Sepse, ti e ke kapacitetin maksimal për të kuptuar ç’është “politika si para”
Prandaj, nuk ke afër ekspert.

Nejse, e di që edhe ky shkrim (nëse ta shpjegon ndokush, sepse ti nuk e kupton) do të duket kot.

Tek e fundit, ti je “politikan” i zoti!
Votat kanë treguar kush je ti dhe sa i madh je ti!
Madje, ti i ke treguar edhe partisë tënde dhe “atij të madhit” se kush je dhe sa i fuqishëm je! Sepse, veç përbrenda partisë ka qenë “fushëbeteja” jote.
E dinë ata!

Po, pra.
E dinë çfarë manipluesi je dhe sa manipulues i madh që je!

Votat? Po pra, “votat” e komisionerëve, jo të qytetarëve. E për këta komisionerët ti ke shpenzuar shumë e shumë para. Sepse, aty ka qenë beteja jote.

Nejse, fjalën ekspert e ke dëgjuar apo jo?

Fjalën po sigurisht, por konceptin nuk e kupton! Normalisht, sepse ti nuk ke arritur të mësosh të shkruash ende.

Jo bre jo, nuk e kam fjalën për drejtshkrim! Ajo do të ishte kërkesë e paarritshme për ty, “politikan”.
More, veç të shkruash sa të merresh vesh. A di bre, hmm, dhjetë fjali bre t’i shkruash. Kaq!
Por, ti as kaq nuk di!
E di!

Megjithëse, “titullin” ekspert e ke edhe ti. Hiq s’ka dilemë!
Aty ta jap dorën. Ta pranoj fitoren për betejën e panisur me ty.
Po, po, ekspert je!

Mashtron, vjedh vota, “tenderon”, gënjen, manipulon, bën punë të pista, shet e blen çkado dhe kurdo, dezinformon, trillon thashetheme, shantazhon.

Kjo është puna jote.
Kjo është “politika” jote.

Kësaj ti i thua “politikë” derisa të tjerët i thonë diçka tjetër.
Asaj që të tjerët i thonë politikë, ty të duket budallëllëk, të duket “harxhim i mundësive për të bërë para”.

Me dëshprim deputet, por jam i bindur, ama fort i bindur, se është fatkeqësisht naive të ketë pritje se debati në Kuvend do të ketë rezultat efektiv, qoftë andej e qoftë këndej “kufirit”. Qoftë për të dalë nga “Po” në “Jo” ose nga “Jo” në “Po”.

Fatkeqësisht, është naive të ketë pritje që një debat midis ekspertëve me qëndrime të ndryshme të jep rezultat për të ndryshuar votën tënde.

Sepse, ti e ke vendosur. Ti e di si do të votosh.
Nuk do të të ndryshojë asgjë nëse e dëgjon eskpertizën që mund të dëshmojë se ti e ke gabim!
Sepse, ti e ke të tërën për “politikë”.

Në i thaçin kësaj që bën ti politikë!

Çka ka lidhje çka ndodh në debat, ti e di si do të votosh.
Anipse, nuk voton me bindje.
A di pse nuk voton me bindje? Sepse, ti nuk ke fare bindje.
“Bindja” jote është paraja. Është mashtrimi, përfitimi.

Ti nuk di dhe as nuk je i vetëdijshëm çka po i bën këtij shteti, kësaj shoqërie. Çka po i bën të ardhmes së këtij vendi.

Vota jote në Kuvend është shumë e rëndësishme. Aq e rëndësishme, sa ti fare nuk e merr me mend!

Dhe, ajo votë do të duhej të ishte rezultat në masë pothuajse vendimtare nga ekspertiza në këtë të mërkurë.

Por, fatkeqësisht, ti e ke vendosur çka do të bësh.

Fort besoj se as që do të jesh prezent të mërkurën në Kuvend.

Çka të duhet ty?
Debati për ty është torturë!