Letër emnakut të Kujtim (Shalës), Kujtim (Gashit)

Duke ia përmendur Kujtimit disa punëra të Kujtimit.

Opinion

27/11/2017 14:30

Shkruan: Berat Armagedoni

I nderuar ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

Jam në dijeni se kabineti yt i sotëm përbëhet nga këta tre këshilltarë: nga një këshilltar i lartë politik (Samir Hoxha), nga një këshilltare politike dhe shefe e kabinetit (Jehona Shyti) dhe nga një tjetër këshilltar politik (Daut Thaqi). Samiri dhe Dauti nuk e di kujt i kanë dhënë këshilla më parë, por e di se ç’punë kanë bërë dhe ç’studime kanë kryer derisa të kanë ardhur përballë. Jehona ka qenë në MKRS para teje dhe dy kolegëve të vet, prandaj edhe mund të marrë vesh më shumë dhe më lehtë se ju se ç’bëhet aty. Së këndejmi, në MKRS, kur nuk jeni në Kosovë dhe kur nuk mund të merrni pjesë në të gjitha aktivitetet që organizon MKRS-ja, institucionet e saj ose të tjerat e Kosovës e të huajat e që u bëhet ftesë për pjesëmarrje, deri më tash keni edhe dy zëvendësministra, Burbuqe Bakija-Devën dhe Resul Makreshin, të cilët mund të paraqiten në emrin tënd dhe të institucionit që udhëhiqni dhe të njëjtit të mos i pyesni kurrë për hiçgjë. Përpos këtyre, në ditët e ardhshme sërish do t’ju sjellin zëvendës, sepse një donin t’jua sillnin javë më parë. Pavarësisht prej pranisë së përçdoditshme të këtyre, Memlin e “Ritmit të Rrugës” e keni tra të fortë për cilëndo punë, por jo edhe për larje hesapesh. Ky reper, dikur rebel, tash i bie një tjetri tel. Politika në disa raste e ka gdhendur, në disa të tjera e ka prishur. Se pse, pyeteni pse.

Ministër, prej që jeni emëruar ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga Partia Demokratike e Kosovës do të duhej të ishit informuar se ç’punë ka bërë emnaku yt, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në MKRS dhe në institucionet e saj. Sigurisht keni dëgjuar se i ka shkarkuar të gjithë këshillat që pati emëruar ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Askush emnakut tënd, siç po ju akuzojnë sot punonjësit juve për një shkarkim të Këshillit të Galerisë Kombëtare, nuk i ka thënë se ka bërë shkarkime politike. Edhe kur nuk ka pasur të drejtë për shkarkimin e tyre, kur nuk ka gjetur asnjë shkelje që ka bërë një këshill, është arsyetuar se dëshiron t’i emërojë këshillat e vet sepse me ta merret vesh më lehtë. E natyrshme, e normalshme, ministër! Dhe, Shala, ka emëruar, në këshilla dhe në institucione kulture, njerëz që kishin nga dy e tre vende pune, kolegë të vet të fakultetit, përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, “ekspertë” të dikurshëm të arsimit e të kulturës, që i janë përshtatur politikisht dhe që parimisht kanë plotësuar kërkesat dhe nevojat e tij për zgjedhje të drejtorëve të institucioneve të kulturës kur u ka bërë me gisht se cilin duhet bërë, edhe për pranim të punonjësve të rinj në punë, duke shkelur në këto raste cilindo nen e cilindo paragraf të Ligjit për Shërbyesit Civilë. Ani pse është letrar, Shala më shumë është treguar matematikan i zoti.

Po ashtu, Shala e ka stërmbushur MKRS-në me punonjës, të rinj dhe të vjetër, të përgatitur e të papërgatitur, me shkollë të mesme e me fakultet, edhe me gjysmanalfabetë e me shumë sebep, duke futur nga katër-pesë-gjashtë-shtatë veta në një zyrë, krejt në 16 metra katrorë. Kryesisht, vajza dhe gra. E ka bërë edhe një marrëveshje me Marjan zezën për të mirën e vet, për të punësuar përkohësisht studentë në MKRS dhe në administratën e universitetit, krejt për llogari personale. Të bëj me dije se Marjan zeza, i cili është mashtruar shumë herë dhe është mashtruar shumë lehtë nga Kujtim Shala, është rektor i universitetit tënd dhe timit, i “Hasan Prishtinës”. Bashkërisht, Kujtimi dhe Marjani, e kanë shuar një institucion. Me një fjalë, Kujtimi s’ju ka lënë mundësi të punësoni njerëz të tjerë dhe ju ka nxjerrë shumë probleme me të gjithë ata që keni tash aty, disa prej të cilëve, për shkak të mbingarkesës, po vazhdoni t’i shpërndani në institucionet e MKRS-së jashtë ndërtesës së saj. Nuk e di a ka punuar ndershëm por, hairshëm po, sepse Kujtim Shala prapë është bërë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe i është shtuar ndikimi në Lidhje. Pra, u ka bërë njerëzve mirë, edhe gruas së vet ia ka rritur pagën atje te “Shota” menjëherë ato ditë që është bërë ministër, dhe për atë punë është shpërblyer me votë ndër popull. Prandaj sot, kur në institucionet e Kulturës i keni përkrahësit e shumtë të tij, të Lidhjes së tij, që s’ta japin për kurrgjë, e keni të pamundur ta realizoni ofertën e fundit të shefit tënd të partisë, të Kadri Veselit, për zhvendosje të Ministrisë së Kulturës në Prizren, fillimisht të dy departamenteve të saj. Edhe nëse e zhvendosni nga Prishtina në Prizren, kurdo që Lidhja lidhet prapë me dikë tjetër në Qeveri, Ministrinë e Kulturës e kthen në Prishtinë dhe juve do t’ju duket sikur ju ka rënë ndonjë meteor në oborr! Prandaj, keni kujdes çfarë bëni sot, sepse s’mund të bëni kurrë çfarë bëjnë ata (Kujtimi me Qark) sepse, ministër, ju ende i udhëhiqni institucionet me drejtorë dhe këshilla të Kujtimit, të cilët, për shkak të raporteve të mira me emnakun tënd, dorën në zemër, nuk po jua varin aspak. Ata (pra Kujtimi me Qark) kurrë s’kanë pritur datën e fundit të këshillave sepse i kanë shtyrë gjithmonë para datat e tyre. Nëse jeni bektesh, sigurisht po e merrni vesh se i kanë pensionuar para kohe.

Ndër të tjera, ndër punët e liga, të këqija, tendencioze, fyese, Kujtim Shala dhe këshillat e tij kanë lejuar që në Teatrin Kombëtar të Kosovës të shfaqet shfaqje antikombëtare, një dramë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj, një dramë kundër komandantit të kësaj ushtrie, Adem Jasharit, të cilin e kanë njollosur keq bashkërisht, me një bashkëpunëtor të serbëve, me Jetonin që, çuditërisht, ende jeton në Kosovë. Edhe po mos të kishte arsye tjetër për shkarkim të tij, edhe po mos të kishe më shumë mandat se dy ditë ministër, në ditën e parë do të duhej ta shkruaje vendimin e në të dytën ta nënshkruaje dhe ta shkarkoje Këshillin e Teatrit Kombëtar të Kosovës e ta ruaje nderin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjes Jashari. Të të gjitha familjeve të dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të kombit. Meqë s’të ka shkuar mendja dhe s’e ke bërë deri dje, duhet ta bësh tash. Sot. Nesër. Pasnesër është vonë.

Kujtim Shalës i ka shkuar mendja që jurinë për çmimet vjetore që jep MKRS-ja në fushën e kulturës ta bëjë me mandat. Dhe, sapo e ka marrë këtë vendim të keq, e ka politizuar cilindo çmim, duke i emërtuar edhe çmimet që jepen sot e që, ec e ndërroji më, hë! Një juri e tillë, e cila jep çmime në bazë të pëlqimeve vetjake dhe çmime vetëm për miq, do të duhej të shpërbëhej menjëherë. Po ashtu, duhet që për cilindo çmim, për atë për poezi, prozë, studime, ese/kritikë/eseistikë, letërsi për fëmijë, për përkthim e ku di tjetër unë, të shpallet thirrja publike në medie e të konkurrojnë mbarë dhe mirë krijuesit nga Kosova me veprat e tyre, për të cilat juria e tashme ka pak dijeni, edhe më pak dituri. Pra, duhet të bëhet thirrje publike, e jo tinëz të zgjedhen autorët dhe veprat e tyre e anëtarët e jurisë të bëhen faktorë kulturorë për tre-katër vjet radhazi. A s’ju shkon mendja se, kur korrupsioni në Kosovë është në majë të kulmit, një marrëveshje me të përzgjedhurit për çmime mund ta bëjnë anëtarët e kësaj jurie?! A s’ju shkon mendja se Kujtim Shala mund të ushtrojë ndikim ende në ta, meqë i ka zgjedhur vetë?! A jeni në gjendje të mendoni vetëm kur jeni zgjuar apo edhe kur jeni në gjumë?! Si mund të kërkoni nesër votë, për kryetar komune ju, Kadriu për parti, Memli për deputet, kur bashkëpunimin e bëni me votues të LDK-së?! Ju nuk e di çfarë hani, por njerëzit e tjerë kashtë nuk hanë. O mblidhni mend e tregoni pak guxim, o shporruni nga këtu si në zgjedhjet e fundit që, gati se, ratë përdhe!