Letargjia e Europës

Sidoqoftë, largimi i Cameroon mbase qytetarëve britanik, nuk ju bën as përshtypjen më të vogël. Nga e gjithë kjo situatë, do të mbaj mend gjatë kohë një fjali, që tha një deputet britanik i cili deklaroi: Sot dha dorëheqjen njeriu i cili i siguroi këtij populli mijëra vende të reja pune. Mbase ky nuk qe momenti i duhur për t’u larguar. Por, gjithsesi është largim me nderë, drejtë harkut të triumfit.

Opinion

22/09/2016 19:21

Shkruan: Armend Fazliu

Nuk ka pasur kurrë një shenjë barazimi midis superfuqive në Unionin Evropian. Sepse kushdo që thotë  “Bashkim Evropian” rrezikon të ekzagjerojë në formë dhe përmbajtje. Evropa është lodhur. Bashkimi është një vizion. Unioni një realitet.

Mbretëria e Bashkuar nuk e ka bërë më të vogël Evropën. Por, e ka trembur atë. Dhe kjo është fakt. Në kohë krizash kjo ngjarje do të quhej një fatalitet, sepse indeksi i shpresës së popujve që jetojnë në Evropë është gjithnjë e në rënie dhe i dërgon popujt në një shkallë të lartë të pesimizmit.  Dekadencë që do të zgjatë edhe më tutje. Nëse nuk do ishte historia Evropa do dukej një vend pa të ardhme, do thoshte dikush.

Për të bërë një zhvendosje paradigmatike, Mbretëria e Bashkuar ka pasur më shumë një rol monitorues në këtë union. Po të shikoni me vëmendje kronologjinë e gjërave, ajo më shumë është mbajtur aty me insistimin e të tjerëve dhe jo nga dëshira për të qëndruar. Politikat e Brukselit, sidomos pas vitit 2000, kanë qenë hegjemoniste, gjermano-centriste, çka e bën edhe më të thjeshtë këtë shpjegim.  Dhe kjo për një monarki me suetë të fortë prej narcizoidi, është një shije jo e këndshme.

Habermas do ta quante Evropën : Një grackë politike

Roli i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë më shumë politik, reprezentativ. Për të mos e prishur mozaikun e kompletuar të hartës së BE-së. Gjithsesi, Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ka qëndruar me njërën këmbë brenda BE-së dhe me tjetrën jashtë. Ka dy momente ku mund të vëreni indiferencën e Mbretërisë së Bashkuar kundrejt Evropës. I pari është refuzimi për përfshirjen në unifikimin e monedhës bashkë me të gjitha shtetet anëtare, e cila prapa kuintave de facto synonte emetimin e euros në Frankfurt. Dhe shtrirjen e kontrollit gjerman mbi sistemin monetarë të Evropës.

Ky fakt do të nxirrte në pah neverinë e anglezëve ndaj gjermano-centrizmit të BE-së.

Momenti i dytë është mos dakordimi i anglezëve për nënshkrimin e marrëveshjes “Shengen” në Luksemburg.  Gjë që, si akt politik, nuk e bën shoqërinë angleze më pak demokratike. Si rrjedhojë, flet ende për një mosgatishmëri njësimi të politikave ndërkombëtare me atë të Brukselit. Dhe këtu ndalemi. Ekziston një dualizim historik midis ishullit dhe gjermanëve. Atë që gjermanët nuk ë bënë me luftë, sot tentojnë ta bëjnë me ndikim të fuqisë ekonomike. Dhe e kanë bërë. Në këtë drejtim, supremacia angleze nuk ka qëndruar inferiore.

Që ironia të jetë më e madhe, është fakti, që lideri i referendumit të BREXI-it dha dorëheqjen. Nigel Farage ekzekutoi problemin. Por nuk dha zgjidhjen. Ai mori pagën si eurodeputet për njëzet vite. Pagë e cila i mjafton ta shijojë në pensionin e parakohshëm politik. Ai zgjodhi të luftonte brenda. Jo jashtë institucionit. Për njëzet vite luftoi për idenë e tij, të cilën e kurorëzoi me referendum. Dhe ia doli. Premtoi që do i ktheheshin 350 milion paund qytetarëve britanik. Por, sharroi shpejtë. Lideri i UKIP nuk ngurroi të tërhiqej shpejtë nga ky zotim në një emision televiziv përpara miliona britanikëve që e kishin mbështetur atë në referendum. Gjë, që më heq admirimin ndaj euroskeptikëve, edhe më shumë.

Por cili ishte në fakt efekti i BREXI-it?

Efekti që prodhoi referendumi qe ndryshimi i elitave politike në Britani. Brex-it “pensionoi” David Cameroon-in dhe kabinetin e tij. I hapi rrugë një gare të brendshme tek Konservatorët britanik. Feminizmi britanik do të vihet ne krye të detyrës sërish në momente historike për popullin britanik. Dyshja Theresa May dhe Amber Rudd, do të udhëheqin britanikët drejtë kësaj sfide jo të lehtë. Jo vetëm për britanikët por për mbarë Evropën. Që t’i shkojmë të vërtetës deri në fund, nuk është hera e parë që feminizmi ka udhëhequr në kohë të mjegullta për Evropën. Thatcher është shembulli tipik.

Sidoqoftë, largimi i Cameroon mbase qytetarëve britanik, nuk ju bën as përshtypjen më të vogël. Nga e gjithë kjo situatë, do të mbaj mend gjatë kohë një fjali, që tha një deputet britanik i cili deklaroi: Sot dha dorëheqjen njeriu i cili i siguroi këtij populli mijëra vende të reja pune. Mbase ky nuk qe momenti i duhur për t’u larguar. Por, gjithsesi është largim me nderë, drejtë harkut të triumfit.

(Autori është publicist dhe vijon studimet në master në fushën e shkencave politike)