Lëshohen bombat për çlirimin e Tikritit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar sulmet ajrore në mbështetje të ofensivës së ripërtërirë të forcave irakiane për ta rimarrë kontrollin në qytetin Tikrit, të pushtuar vitin e kaluar nga militantët sunitë të “Shtetit Islamik”.

Bota

26/03/2015 09:36

Në qytetin – vendlindjen e ish diktatorit Sadam Hysein, i cili ndodhet rreth 160 kilometra larg Bagdadit, po bëhen gati një muaj që rreth 20 mijë trupa irakiane, ushtarë e policë, kryesisht shiitë, të mbështetur edhe nga gjeneral iraninianë, kanë filluar betejën me militantët e ISIS-it.

Sipas burimeve të Reuters, amerikanët kishin hezituar të kryejnë sulme ajrore në rajonin e Tikritit, pasi udhëheqës të milicisë irakiane ishin lavdëruar që në fillim të operacionit se betejën mund ta fitojnë vet dhe pa ndihmën e askujt. Por që prej një muaji, forcat irakiane kanë marrë një të tretën e qytetit dhe beteja ka ngecur.

Një zyrtar i mbrojtjes amerikane i ka thënë të enjten agjencisë së lajmeve AFP se fushata e sulmeve ajrore ka filluar, dhe se aktualisht bombat po bien mbi caqet e militantëve të “shtetit Islamik” në Tikrit.

Ai ka thënë qeveria e Irakut e ka lutur Washingtonin të kryej sulme ajrore kundër pozicioneve të “Shtetit Islamik” në Tikrit, dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar fuqinë ajrore në mbështetje të operacioneve të forcave irakiane.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që prej gushtit të vitit të kaluar ndërmerr sulme ajrore kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, të cilët pas ofensivave të kryera në muajt maj dhe qershor të vitit 2015 kanë shpallur kalifatin e tyre në territoret e okupuara në Siri dhe Irak, duke ekzekutuar më shumë se 15 mijë veta. /lajmi.net/

YouTube player