Lëshohen 48 raketa Tomahawk kundër ISIL-it në Siri (Video)

Aleanca kundër terrorizmit, në krye me Shtetet e Bashkuara, përfshirë këtu edhe disa vende arabe, ka filluar të martën sulmet e para ajrore kundër militantëve dhe caqeve të "Shtetit Islamik" në Siri, të shpallur muaj më parë në terriroret e pushtuara në Irak dhe Siri nga organizata terroriste "Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit (ISIL).

Bota

23/09/2014 10:53

Zëdhënësi John Kirby tha se kundër militantëve janë përdorur avionët bombardues, të cilët kanë lëshuar 48 raketa Tomahawk në Raqqa.

Sulmet ajrore vijnë pak ditë pas shpalljes së strategjisë nga presidenti amerikan, Barack Obama për siç ka thënë ai, degraduar dhe shkatërruar “Shtetin Islamik”, i cili tashmë ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Siri dhe Irak.

Që prej gushtit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer 190 sulme ajrore kundër militantëve sunitë të “Shtetit Islamik” në Irak, ndërsa sulmet ndaj këtij shteti në Siri po bëhen së bashku me aleatë, përfshi edhe shtete arabe.

Mbi 30 shtete, në mesin e tyre dhjetë arabe, iu përgjigjen thirrjes së presidentit amerikan, të bërë ditë më parë, për të luftuar “Shtetin Islamik”, shtet ky që përmes masakrimit të mijëra civilëve irakianë, të krishterë dhe myslimanë shiitë, ka arritur të vë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të Sirisë dhe Irakut. 

Sulmet ajrore mbi “Shtetin Islamik” në Siri  vijnë edhe si presion i opinionit publik pas krimeve brutale të kryera nga militantët, prerjes së kokave të pengjeve, dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi humanitar britanik.

Zëdhënësi i Pentagonit ka konfirmuar se sulmet e sotme nuk janë kryer vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga forcat ajrore të shteteve aleate që i janë bashkuar luftës kundër organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit (ISIL).

Qeveria siriane zyrtarisht akoma nuk ka rënë dakord për sulmet ajrore brenda territorit të saj, megjithatë, Pentagoni ka njoftuar se Damasku zyrtar është njoftuar paraprakisht për aksionet që do të merren kundër militantëve të ISIL-it dhe kalifatit të tyre.

“Shteti Islamik” është përpjekur të pengojë sulmet ajrore në Siri, duke lëshuar një video me një gazetar britanik, të zënë peng, i cili mund të ketë fatin e keq të dy kolegëve të tij amerikanë, të cilëve iu hoq koka nga militantët.  

Gazetari John Cantile i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Barack Obama, të mos ndërmerr sulme në Siri, por vendimi nuk ka ndryshuar, dhe sipas Pentagonit, sulmet ajrore do të vazhdojnë deri në shkatërrimin e “Shtetit Islamik”.

Siria ndodhet në luftë civile që prej marsit të vitit 2013, kur kryengritësit u nisën për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar Al Assad, por përpjekja dështoi, pasi ajo degjeneroi në luftë sektare e civile mes grupeve e klaneve të interesit, gjithnjë duke u thirrur në emër të Zotit.

Dhe që prej marsit 2011, në Siri janë vrarë mbi 190 mijë civilë, tre milionë veta tashmë janë refugjatë jashtë kufijve të këtij vendi, ndërsa disa milionë të tjerë kanë lëvizur nga një rajon në tjetrin, në përpjekje për të shpëtuar jetët nga këto grupe të armatosura, sidomos nga militantët e “Shtetit Islamik”.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në Turqi nga Siria janë futur rreth 130 mijë kurdë sirianë, të cilët u përndoqën nga shtëpitë e tyre si pasojë e një ofensive të militantëve të ISIL-it, që coi në pushtimin e dhjetëra vendbanimeve.