Leonarda dhe përleshja deportuese

Nëna e 15 vjeçares Leonarda Dibrani, e deportuar ditë më parë nga Franca, është rrahur sot në Mitrovicë dhe aktualisht gjendet në spital, ndërsa fëmijët e saj janë duke qëndruar në stacionin policor. Policia thotë se pati një incident mes dy familjeve rome.

Lajme

20/10/2013 21:23

Është sulmuar të dielën vajza rome, Leonarda Dibrani, e cila ishte deportuar ditë më parë nga Franca në Kosovë.

Leonarda dhe familja e saj janë sulmuar nga disa persona, në kampin e komunitetit RAE në Mitrovicë, ku ata jetonin që nga deportimi i tyre nga Franca.

“Familja Dibrani ishin duke shëtitur në Mitrovicë, kur ata u sulmuan nga persona ende të pa njohur”, ka thënë një zyrtar policor për AFP’në.

Nëna e 15 vjeçares Leonarda, është “rrahur dhe tani gjendet në spital, përderisa fëmijët të cilët janë traumatizuar, aktualisht janë duke qëndruar në stacionin policor”, ka thënë ky zyrtar policor.

Babai i Leonardës, Reshat Dibrani, 47 vjeç, është duke qëndruar në spital, pranë gruas së tij.

“Kjo tregon se familja Dibrani nuk janë të sigurt këtu”, pohon ky zyrtar policie për AFP.

Ndërkohë, sipas Kosovapress, incidenti ka ndodhur mes dy familjeve rome, rreth orës 17:00, në qendër të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën “Mbretëresha Teutë”.

Derisa familja Dibrani, në përbërje prej tetë anëtarëve ishte duke shëtitur qytetit, ajo takohet me një familje tjetër rome dhe pastaj fillon përleshje mes tyre, nga e cila ka mbetur e lënduar Xhemile Dibrani.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se  policia është duke investiguar këto dy familje, të cilat janë të dyja të riatdhesuara dhe për të cilat dyshohet se mes vete kanë pasur probleme të mëhershme.

“Zënka e tyre nuk ka të bëjë me lëvizjen e lirë në kuptimin e përgjithshëm si dhe nuk ka motiv etnik”, ka thënë Zahiti.

Të dy familjet janë ende në stacionin policor, ku po merren në pyetje nga hetuesit policorë.

Familja Dibrani ditë më parë u deportua nga Franca, gjë e cila ngjalli protesta të nxënësve dhe studentëve në Paris, pasi, për t’u kthyer në Kosovë, Leonarda ishte nxjerrrë nga policia prej autobusit të shkollës.

Të shtunën, presidenti francez Francois Hollande i ka ofruar Leonardës një mundësi që të kthehet në Francë, por pa familjen e saj.

Oferta e Hollande është refuzuar menjëherë nga vajza, përderisa babai i saj tha se familja e deportuar më 9 nëntor nuk do të ndahet dhe se do të kthehet me çdo kusht në Francë.