Lëndohen, por kapin kontrabanduesin

Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar në ndjekje të një kontrabanduesi me derivate. Sakrifica e tyre është shpaguar- kontrabanduesi ka përfunduar në pranga.

Lajme

30/10/2013 10:41

Tre policë të Kosovës janë lënduar gjatë përpjekjes për ndalimin e një kamioni që besohet se ka bartur rreth 15 mijë litra derivate të kontrabanduara, ndërsa pas një ore ndjekje Ridvan A. rreth 36 vjeç është arrestuar bëjnë të ditur burime të KosovaPress .

Ngjarja ka ndodhurrreth orës tre të mëngjesit të sotëm në hyrje të Mitrovicës, përkatësisht në Shupkovc, me ç`rast vozitësi i kamionit nuk ka respektuar urdhrin e policisë për ndalje duke vazhduar në drejtim të Leposaviqit.

Ngjarjen e ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë Avni Zahiti, duke thënë se përkundër pengesave të vëna nga policia e Kosovës në disa vende të caktuara deri në Leposaviq, vozitësi nuk është ndalur.

“Bashkëpunimi i mirë i policisë në mes të drejtorive Jug dhe Veri ka bërë që vozitësi në Leposaviq të detyrohet të kthehet sërish mbrapsht , por tani në Zubim Potok, më ç`rast duke u kthyer ka goditur automjetin e policisë, duke lënduar kështu tre policët që ndodheshin në automjet ka thënë Zahiti”.

Ai shtoi se rrugës për në Zubin Potok, përkatësisht në Zhabar, policia ka arritur të lokalizoj kamionin dhe të arrestoi të dyshuarin.

Sipas tij kamioni kishte me targa të Republikës së Kosovës “02”, por dyshohet të jenë falsifikuara, ndërsa rasti po hetohet si tentim vrasje ndaj personave zyrtar dhe tregti e ndaluar, raporton Kosovapress.