Lënda në Gjykatë, AKP-ja i shet “Bechtel &Enka-së” materialet e MIM Goleshit

Edhe pse Miniera e Goleshit është në kontest gjyqësor, ajo ka disa ditë që ka filluar punën. Kjo pasi menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka bërë marrëveshje kontraktuale për shfrytëzimin e materialeve të minierës me kompaninë “Bechtel & Enka” e cila është duke e ndërtuar rrugën Prishtinë-Shkup.

Lajme

18/06/2016 17:31

AKP e kishte marrë minierën nën administrim me pretendimet se ish blerësi nuk i ka përmbushur zotimet për investime. Por të kundërtën e thotë Hysni Zogaj, blerësi. Ai ka thënë se po të mos ishin investimet, AKP nuk do të mund të arrij marrëveshje për shitjen e materialeve të minierës. Zogaj akuzon AKP-në dhe KPMM-në se kanë bërë shkelje duke i hequr emrin e tij nga licenca dhe vendosë në emër të Avni Jasharit, një personi fizik që punon në AKP, duke e quajtur ketë njërin prej akterëve kryesor të këtij rasti.

Zogaj e quan të kundërligjshme këtë marrëveshje duke thënë se ende nuk ka përfunduar lënda gjyqësore. Ai është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku sipas tij, ende pa u marrë vendimi nga gjykata AKP-ja bënë kontratë për shitjen e materialit.

Nga ana tjetër, zyrtarët e AKP-së kanë zgjedhur të heshtin. Për ditë të tëra “KosovaPress? ?, nuk ka arritur të marrë përgjigje se me çfarë baze ligjore është lidh kontrata për shfrytëzimin e materialeve të minierës.

“Pas shumë miliona euro investime në minierën e Goleshit, tash AKP e ka filluar një punë me ish blerësin tim “Bechtel & Enka” të ja shes materialet të cilat kanë qenë të përgatitura për të . Kjo është bërë pa ardhur një vendim i Gjykatës Kushtetuese për këtë. Si ka vepruar me dy gjykatat më herët me të njëjtën metodë po vepron edhe me Gjykatën Kushtetuese. Ne do të kemi durim ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk do ta bëjmë veten ta kalojmë ligjin. Kemi thënë se do ta respektojmë dhe presim ligjin deri në fund dhe me pas unë kam deklaruar që ajo pronë është e familjes sonë. E kemi ndërtuar me djersë, kemi investuar miliona eu ro aty. Tani e kemi shumë të vështir ta përballojmë dikë që nuk ka investuar asnjë cent aty edhe e shfrytëzon pasurinë tonë”, tha Zogaj.

Zogaj është shprehur i habitur se si ka mundësi që AKP të nxjerrë raporte ku thotë se blerësi nuk i ka përmbushur obligimet, nuk ka bërë investime, e ne të njëjtën kohë nuk ka shkuar as një vit dhe ka bërë kontratë me kompaninë “Bechtel & Enka”, duke i shfrytëzuar prodhimet që kanë qenë të përgatitura para se ta merr nën menaxhim AKP minierën.

Për Zogajn edhe më shqetësuese është mënyra se si Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale e ka hequr emrin e tij nga personi që ka pasur licencë duke e vendosur licencën në emër të personit fizik, Avni Jashari, zëvendës drejtori i AKP-së .

“AKP dhe KPMM ka bërë shkelje të ligjit duke e hequr emrin tim nga licenca dhe venë në emër të Avni Jasharit. Në emër të një personi fizik që punon në AKP, që nuk ka lidhje me Minierën e Goleshit. Ai është njëri prej akterëve kryesor që ka ardhur deri te ky problem. Po megjithatë ne kemi vendosur të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Personi fizik që ka marrë licencë, sigurisht që kontratën me kompaninë e ka bërë si institucion”, tha Zogaj.

Arritjen e marrëveshjes me AKP-në e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e kompanisë, “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi.

“AKP e ka në administrim dhe ne kemi bërë marrëveshje me administratorin. S’kemi asnjë lidhje me gjykatat”, kjo ka qenë përgjigja e Ruçit përmes mesazhit të shkruar për KosovaPress.

Përndryshe, Hysni Zogaj është në p ritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai në muajin janar të këtij viti ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese .

Kjo e fundit sipas përgjigjes që ka dhënë për “KosovaPress”, ka thënë: “Kjo lëndë aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe sapo të merret vendimi Gjykata do të informojë me kohë të gjitha palët e përfshira në rast”.