Lekaj: Ritestimi do të bëhet për shoferët që shkelin ligjin

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj nëpërmjet një komunikate ka thënë se ritestimi për patentë shoferë do të bëhet vetëm për shkelësit e shumëfishtë të ligjit dhe rregullave të komunikacionit.

Lajme

24/09/2018 15:20

“Ritestimi i njohurive të rregullave të komunikacionit rrugor do të bëhet për të gjithë shoferët të cilët përsërisin në vazhdimësi kundërvajtjet në trafik dhe për të cilët masat tjera si gjobat, tërheqja e pikëve negative dhe pezullimi i përkohshëm i patentë shoferit nuk kanë dhënë efekt. Prandaj ritheksojmë se këtij testimi do t’i nënshtrohen vetëm shkelësit e shumëfishtë të ligjit dhe rregullave të komunikacionit rrugor”, thuhet në komunikatën për media dërguar nga Ministria e Infrastrukturës.

Ky  ndryshim, sipas Lekajt përveç rritjes së sigurisë në komunikacion, do të ndikojë në krijim të besueshmërisë me të madhe të patentë shoferit të Republikës së Kosovës, në vendet e Evropës dhe më gjerë.

Lekaj ka thënë se ky proces është vetëm në fazën e diskutimit dhe qytetarët do të njoftohen më kohë për vendosjen e implementimit të kësaj rregulle.

“Procesi i pajisjes me licencë për vozitësit në Kosovë, do të përshtatet me direktivat e BE-së.

Kosova si një vend që ka aspirata për tu integruar në familjen Evropiane duhet të përgatitet në këtë drejtim. Tani për tani mund të themi se jemi vetëm në fazën kur po bëhet krahasimi i legjislacionit tonë me atë të BE-së, në fushën e patentë shoferit”, thuhet në komunikatë.