Lekaj: Qeveria do të investojë në zgjerimin e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga drejtori i ANP, Haldun Firat Kokturk, i cili e informoi ministrin Lekaj me punën, të arriturat dhe gjendjen aktuale në ANP-së, si dhe ia prezantoi projektet e zhvillimit të ardhshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”.

Lajme

03/11/2017 15:23

Me këtë rast, ministri Pal Lekaj vizitoi Terminalin e Aeroportit dhe Agjencinë e Navigimit Ajror, ku u njoh me rrjedhën e punëve që zhvillohen atje.

​Në përfundim të këtyre aktiviteteve ministri Lekaj dha këtë deklaratë:

Ne diskutuam në mënyrë thelbësore për projektet në aeroport dhe për të arriturat e Aeroportit, që me të vërtetë është një storie e suksesit të Partneritetit Publiko Privat dhe mendoj që ky është një shembull i mirë edhe për kompanitë e tjera të huaja që të vijnë të investojnë në vendin tonë, sepse zhvillimi me këtë hov është me të vërtetë shumë pozitiv. Këtu vërehet edhe zhvillimi i rrjetit të linjave të drejtpërdrejta me shtetet tjera. Ne do të shikojmë edhe hapësirat dhe linjat e shteteve tjera, që ta zhvillojmë gamën e të gjitha shërbimeve tjera. Ne si Ministri do të ndërmarrim edhe veprime të tjera që të ngrisim seriozitetin e kompanive karshi udhëtarëve. Përveç kësaj, ne biseduam edhe për zgjerimin e pistës, që do të jetë investim i Qeverise së Kosovës, pasi t’i kemi shikuar modalitetet. Unë që ne do t’i kryejmë obligimet tona që na përkasin si Ministri e Infrastrukturës dhe do të fillojmë sa më shpejt me projektet, realizimi i të cilave do të fillojnë posa të nënshkruhen, pa u stërzgjatur. Ne kërkojmë që të implementohen të gjitha ato që janë të nënshkruar nga dy palët dhe që parashihen në kontratë. Kjo do të jetë në të mirë të sigurisë së qytetarëve, por edhe për zhvillimin e Aeroportit, që të përfundojë si storie e suksesit.

lekaj1