Lekaj: Kosovës po i vijnë ditë të mira, po i kthehet kryeministri Ramush Haradinaj

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka deklaruar se në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit për herë të dytë është duke kandiduar për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

19/05/2017 14:22

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se në 12 vitet e fundit qytetarë i kanë dhënë përgjegjësi përmes votës së tyre dhe ai përgjatë kësaj kohe është munduar që ta mbrojë me përgjegjshmëri të plotë.

“Bashkëvendësit e mijë 12 vite më parë ma besuan drejtimin e Gjakovës. Një drejtim që nuk ishte i lehtë, mirëpo, ishte i suksesshëm. Më pas, në vitin 2014 Ju qytetarë të Kosovës më besuat që të jem zëri juaj në Kuvend, zë që jam munduar ta mbrojë më ndërgjegjshmëri dhe përgjegjshmëri të plotë”.

“Pas një muaji, Ju mund të ma konfirmoni sërish këtë detyrë, sepse, për tri vite si deputet i Kuvendit të Kosovës kontribuova së bashku me kolegët e tjerë të AAK-së, që t’i ndalim të këqijat e këtij vendi, duke mos ratifikuar marrëveshjet të cilat e dëmtonin shtetësinë e vendit tonë që më shumë mund e përkushtim e ndërtuam së bashku”.

Sipas tij, pas zgjedhjeve të 11 qershorit Kosova do të hyjë në një fazë të re të shtet ndërtimit dhe konsolidimit të saj, ku I presin punë dhe sfida të mëdha

“Kosovës po i vijnë ditë të mira. Kosovës po i kthehet kryeministri i saj Ramush Haradinaj!’, ka shkruar mes tjerash ai.