Lekaj kërkon bashkim opozitar për të rrëzuar Qeverinë

Pal Lekaj ka thënë se formimi i FAK-ut është shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi vendi ka nevojë për një forcë të tillë. Ai po ashtu ka thënë se ky është “momenti i fundit” që opozita të bashkohet për të rrëzuar Qeverinë.

Lajme

04/05/2014 15:29

Kryetari i Degës së AAK-së në Gjakovë, Pal Lekaj ka thënë se është momenti i fundit që opozita të bashkohet për të “ndëshkuar Qeverinë”, sepse sipas tij, qeverisja aktuale i ka sjellë shumë dëme Kosovës.

“Është momenti i fundit që opozita si unike dhe e bashkuar ta bëjë një punë tejet të mirë dhe të rëndësishme, në favor të qytetareve duke shkarkuar këtë Qeveri, si masë ndëshkuese për dëmet që i ka sjell vendit, e assesi të mos i jepet shansi që të vetshkarkohet apo ta çojë deri në fund mandatin e saj”.

“Për të mirën e vendit, përfundimisht, opozita duhet ti jep fund vazhdimit të kësaj keqqeverisje dhe premtimeve të tyre që po ngufasin jetën e qytetarëve dhe po përdoren si formë shantazhi ndaj tyre në këmbim të votës”.

“Nga qytetaret kjo lojë e ndytë është kuptuar fare mirë, andaj për t’ju dal hak qytetarëve, të zgjedhurit e tyre duhet ta shkarkojnë sa më shpejtë këtë qeveri, sepse çdo ditë më shumë e kësaj qeverie po shkon në të keqën e vendit dhe qytetareve të saj”.

“Kosovës shumë shpejt do t’i vinë ditë të mira”.

Lekaj po ashtu ka thënë se dita e nesërme është shumë e rëndësishme, sepse pritet që të themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, ku, sipas tij, së shpejti kësaj force do t’i hapen dyert për t’u bashkuar në NATO.

“Në fillim të javës ne presim nga të gjitha partitë parlamentare që të tregohen të vëmendshme dhe konstruktive në votimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës – FAK, sepse Republika e Kosovës dhe të gjithë qytetaret kanë nevojë për një forcë të tillë, për të na ofruar më shumë stabilitet dhe siguri në vend. Forcë të cilës shumë shpejtë do ti hapen dyert për tu bërë pjesë e familjes Euro-Atlantike NATO dhe misioneve tjera paqeruajtëse ndërkombëtare, dhe do ti shërbejë paqes kolektive të vendit, rajonit dhe botës”.

“Java e ardhshme po ashtu është javë vendimtare për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar në Facebook, ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.